Së fundmi Banka Botërore ka publikuar një raport në lidhje me punësimin në Ballkanin Perëndimor, ku përveç se tregon për karakteristikat individuale të çdo shteti ka bërë edhe një krahasim mes shteteve fqinje ku përfshihet edhe Shqipëria.

Në këtë raport vendi ynë renditet si një nga vendet me pagat më të ulëta në rajon dhe përveç të tjerash ajo që bie në sy është edhe lidhja e strukturës së punësimit me nivelin e arsimit. Ndryshe nga vendet e tjera fqinje në Shqipëri biznesmenët pra personat që janë të vetëpunësuar janë me 8-vjeçare dhe numri i personave me arsim të mesëm ose të lartë është shumë i vogël.

Ndërsa personat të cilët zotërojnë një diplomë sipas këtij raporti në Shqipëri këta persona punësohen kryesisht në sektorin privat sesa në atë shtetëror.

“Në mesatare rreth gjysma e të vetëpunësuarve në Ballkanin Perëndimor ishin me shkollë të mesme. Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë më shumë se 60 për qind kishin një nivel arsimimi mesatar në 2016, më pak të arsimuarit ishin grupi i dytë më i madh mes të vetëpunësuarve kurse ata me arsim të lartë zinin rreth 11 për qind në një mesatare. Në kontrast me këtë, në Shqipëri dhe Maqedoni shumica e të vetëpunësuarve ishin ata me nivel më të ulët arsimimi. Në termat e edukimit në total punësimi u rrit në të gjitha grupet e edukimit por më së shumti tek ata me arsim të mesëm në të gjitha vendet me përjashtim të Shqipërisë. Kjo e fundit raportoi rritjen më të madhe të punësimit në segmentin e atyre me arsim të lartë.”, shkruan raporti.


