Lëvizja e qytetarëve nga fshatrat drejt qytetit në vitet e fundit ka bërë që shumë fshatra që dikur ishin të mbipopulluar si në Kosovë dhe në Shqipëri të braktisen masivisht nga banorët.
Një gjë e tillë ka ndodhur dhe në një prej fshatrave të Kosovës, që banohet vetëm nga një banor i cili edhe pse vetëm nuk pranon që të largohet prej andej.

Bëhet fjalë për shtetasin 70-vjeçar Sabit Maliqi, që jeton në fshatin Graxhanik të Kosovës i vetëm në një shtëpi që gjendet buzë përroit.
Ai i vetëm gatuan dhe kujdeset për lopën, delet dhe qentë e tij. Sabiti madje duke qenë se rruga është shumë e keqe nuk mundohet fare të shkojë ndonjëherë në qytet.

Në një reportazh së fundmi në RTV21, 70-vjeçari tregoi se është shumë i kënaqur me jetën që bën në fshat dhe refuzon të shkojë në Prishtinë pasi aty dy ditë i duken si dy javë.
Ndërsa banorët e fshatit ngjitur, të cilët e njohin Maliqin janë shprehur se: “Sabiti është interesant. Edhe ne befasohemi se si e organizon jetën. Me përjashtim të 3 muajve verë nuk ka mundësi asnjëherë tjetër të lidhet me rrugën kryesore. E para për shkak të baltës dhe e dyta sepse bie borë shumë. ”
