Që kur këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira është zgjedhur si përfaqësuesja e Qipros në Eurovizion ka pasur shumë reagime dhe kjo jo për shkak të këngës por të origjinës së këngëtares së njohur.

Ajo ka lindur në Shqipëri por e njohur është bërë në Greqi ku numëron dhe një numër të madh hitesh dhe një karrierë të gjatë muzikore, mirëpo fakti që ajo është shqiptare dhe do përfaqësojë Qipron në këtë konkurs ndërkombëtar nuk është pritur aspak mirë nga ana e fansave, të cilët kanë arritur deri në ofendime raciste kundër saj.

Këtë gjë e ka rrëfyer së fundmi dhe vetë këngëtarja në një intervistë ku është shprehur se vazhdimisht merr mesazhe të turpshme që lidhen me origjinën e saj.

“Është e turpshme të dëgjosh nga një i ri të thotë 'a, je nga Shqipëria, atëherë me Shqipërinë të shkosh në Eurovizion”, ka thënë ajo.
Eleni madje është përfolur shumë se do të përfaqësonte edhe Greqinë në Eurovizion, mirëpo kjo gjë nuk u bë e mundur pikërisht për shkak të origjinës së saj shqiptare.

“Shkon në një shtëpi diskografike dhe nuk të pranojnë sepse je nga Shqipëria. Thua me veten, a është e mundur? Nuk e bëj dot ëndrrën time realitet sepse jam nga Shqipëria”?, ka rrëfyer ajo.

Pavarësisht kësaj Eleni pritet që në maj të përfaqësoj Qipron me këngën ‘Fuego’, që është pritur mjaft mirë nga fansat e saj dhe mendohet që do ketë një sukses të madh në këtë garë.


