Një nga këngëtaret më të dashura të muzikës popullore është Maja Alickaj, e cila me zërin e saj dhe këngët e ndryshme ka arritur të marrë vëmendjen dhe dashurinë e publikut. Së fundmi Maja ka qenë e tërhequr nga muzika dhe nuk ka publikuar ndonjë këngë të re dhe kjo pas fatkeqësisë që i ndodhi, ku në dhjetor të vitit që lamë pas ajo humbi vëllain e vetëm disa muaj pasi kishte humbur edhe dy prindërit.

Ditën e sotme ajo ka qenë e ftuar në emisionin 'Rreze Dielli' në Report Tv, ku shumë e emocionuar dhe me lot në sy ka rrëfyer këtë përudh jo të mirë të jetës së saj.

“Jam tërhequr goxha nga fatkeqsia e fundit, e cila ka ndodhur brenda tre muajsh. Kam qenë prezente vetëm në disa koncerte, por për mua ka qenë shumë e vështirë. Po u rrëzove, duhet të ngrihesh. Ne jemi disa motra dhe kishim vetëm atë vëlla...”-është shprehur e prekur Maja.

Ndër të tjera këngëtarja e njohur ka kujtuar edhe kohën kur ajo ka emigruar në Gjermani, ku në moshë fare të vogël ajo është përballur me shumë vështirësi.

“Shkova për shkollë dhe aty më adoptoi një zonjë në Gjermani, edhe pse isha mbi moshë, mbi 18 vjeçe. Fillova duke punuar, duke pastruar, në fabrikë në teatër etj. Puna më e vështirë që kam bërë ka qenë në fabrikë. Ishte punë monotone. Më mirë të jem në mal të mbledh çaj, sesa të bëj një punë monotone. Kam punuar 2 muaj aty.”-rrëfeu këngëtarja e njohur. /Burimi: JOQ.



