Nga Shqipëria / E Martë 13 Mars 2018, 12:12

Rritet papunësia: Shifra alarmante në qarqet më të rëndësishme në Shqipëri

Sipas raporteve të fundit të nxjerra nga INSTAT papunësia në vendin tonë gjatë vitin 2017 është rritur në 5 nga qarqet më të rëndësishme që janë dhe ndër qytetet me numrin më të lartë të popullsisë.

Norma e papunësisë ka shënuar një numër të madh në vitin që lamë pas në qytetin e Lezhës , Vlorës, Beratit, Shkodrës dhe Fierit. Qyteti që ka pasur normën më të lartë ka qenë Vlora me  23.9% të forcës së punës mbi 15 vjeç, sipas përllogaritjeve kjo normë është  gati 10 %  mbi mesataren kombëtare.

Pas Vlorës dhe Lezha ka normë të lartë të papunësisë, përkatësisht 16.1%. Po normë të lartë të rritjes së papunësisë ka përjetuar dhe Qarku i Beratit, ku u shënua 12.8%. Ndërkaq e Kukësi ka ulje të punësimit me 4.3%. Dibra, Korça dhe Elbasani janë qarqet me normat më të ulëta të papunësisë në vend, përkatësisht me 7, 7.5 dhe 8.2%.

Ndërsa për sa i përket kryeqytetit papunësia në vitin 2017 ra me 3.4%. Ndikim më të lartë në uljen e papunësisë në Tiranë ka patur sektori i bujqësisë dhe industrisë që ka ndikuar në rritjen e numrit të të punësuarve, ndërsa punësimi në sektorin e shërbimeve ka rënë.