Ekziston një fshatë në Lushnje që quhet Shegas ku ashtu si dhe në periudhën e komunizmit banorët e kanë të pamundur që të kalojnë në rrugët që lidhin fshatin me qytetin. Në këtë fshatë jetojnë plotë 200 familje dhe rruga është po e njëjta me atë të shumë viteve më parë, e pa asfaltuar, e mbushur me pluhur dhe gati gati e pamundur për tu kaluar.

“Jetesa është shumë e vështirë, këtu vdes. Nuk vjen dot as me makinë. Nëse kemi ndonjë të sëmurë e transportojmë me karroca dore. Të gjitha i mbajmë në krah. Po ngordhin edhe gomerët. Jemi të harruar”, shprehen banorët.

Ky problem është bërë i ditur edhe në Bashkinë e Lushnjës, por ata nuk munden të bëjnë gjë pasi ende nuk është miratuar projekti.

“Me t’u krijuar mundësitë ekonomike, do të zbatohet edhe do të jetë në funksion të të gjithë fshatit”, thotë Ergest Krakulli, drejtori i shërbimeve në Bashkinë Lushnje.

Ndërkohë në këtë rrugë të pashtruar e cila është pothuajse 5 km, përveç problemeve ku nuk mund të transportojnë dot as të sëmurët, një problem tjetër është edhe që në këtë fshatë nuset nuk vijnë dot dhe si pasojë të gjithë djemtë e fshatit janë beqarë. Siç janë shprehur banorët vetëm vajzat martohen dhe ikin, ndërsa për djemtë është shumë e vështirë.

“Na ngelën djemtë pa martuar. Ndërsa gocat e shkreta na i marrin. Na kanë ngelën nipërit pa martuar”, shprehen banorët./Burimi:Top Channel.


