Nga Shqipëria / E Premte 2 Mars 2018, 15:03

Historia drithëruese e 13-vjeçare shqiptare që pas shkollës del e lyp do ju prek zemrat

Ditën e djeshme televizioni Top Channel ka transmetuar historinë  drithëruese të një vajze e cila pasi kthehet nga shkolla lë çantën e saj dhe shkon në rrugë për të lypur.

Ajo quhet Kristina dhe është vetëm 13-vjeç dhe ndryshe nga fëmijët e tjerë që pasi mbarojnë mësimin shkojnë në shtëpinë e tyre për tu ushqyer dhe për tu çlodhur, Kristina për të ndihmuar mamanë e saj del në rrugët e qytetit të Korçës dhe lyp për të siguruar bukën e gojës.

Babai i saj ka vdekur ndërsa nëna e saj duke qenë se është shumë e sëmur nuk mund të sigurojë të ardhura për të rritur vajzën e saj.

“Kemi dalë për bukë! Duam të bëjmë lekë që të blejmë bukë se nuk kemi bukë në shtëpi! Jam në klasë të pestë. Na kanë hequr byrekun dhe pican që hanim në shkollë. Unë bëj nga 5 mijë, nga 10 mijë në ditë, po duhet të paguajmë edhe dritat. Vij nga shkolla, lë çantën dhe dal lyp pastaj. I paguaj rregullisht dritat.”, është shprehur ajo për gazetaren e TCH.

Ndërkohë kamerat e televizionit kanë bërë të mundur që të futen edhe në shtëpinë e Kristinës  e cila ishte thuajse e rrënuar, ku mungonin shumë gjëra e madje nuk kishte as ngrohje. Ndërsa në frigoriferin e saj kishte vetëm  dy kokrra vezë dhe asgjë tjetër.

“Më vjen keq që e nxjerr Kristinës në rrugë për të lypur, por nuk kam me çfarë ta ushqej. Ata të asistencës me thonë që mos e nxjerr gocën në rrugë, por u them që nuk kam me se ta ushqej. Më jepni ju, u them.”, është shprehur ajo e dëshpëruar.