Nga Shqipëria / E Enjte 1 Mars 2018, 13:01

Surpriza: Tani Rudina Magjistarin do ta shohim në Top Channel

Siç është bërë e ditur në datën 4 mars do të startojë edhe spektakli i humorit Portokalli i cili këtë herë do të vijë me disa ndryshime në rolet që aktorët do të luajnë. Siç tregoi edhe regjisori Altin Basha ata ndër të tjera do të kapin edhe ‘Peshkun e madh’.

Ai ka zbuluar se aktori Rezart Veleshaj i cili në sezonin e kaluar ka imituar Ardit Gjebrean dhe Arian Çanin, këtë herë do të vij me në rolin e një gruaje dhe sipas tij ajo është një prezantuese: “Ajo nga 100 fjalë, 98 janë gafa”, thotë ai. Kjo ka mjaftuar që të gjithë të bëjnë lidhjen dhe të dalin në përfundim se ky personazh është Rudina Magjistari.

Ndër të tjera Xhemi dhe Salsano Rapi të cilët janë edhe prezantuesit, këtë sezon do të sjellin veprën Romeo dhe Juliet në një mënyrë ndryshe.

“ Do t’i sjellim në epoka të ndryshme. Do ta nisim nga epoka e Skënderbeut”, tregon Xhemi.

Ndërsa për sa i përket humorit politik Altin Basha është shprehur:“Humor politik ka pasur gjithmonë, pasi ai është i preferuar nga publiku. Sigurisht që do të ketë personazhe politike, por edhe mënyra se si ndikon politika në jetën e njerëzve, por nga ana tjetër ka edhe personazhe të rinj”.