Një shqiptare me banim në Cassano d’Adda, Milano ka ndërruar jetë së fundmi nga një krizë astme që rezultoi fatale pasi i mori jetën në moshën 37-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së martë kur Julinda Mara është përballur me një krizë astme dhe me problem me frymëmarrjen, të cilat i kanë shkaktuar ndalimin e zemrës.

Ajo ka lënë pas bashkëshortin e saj dhe tre fëmijët të cilët kanë vendosur që të bëjnë një gjest tepër fisnik pas vdekjes së nënës së tyre. Siç është bërë e ditur bashkëshorti i saj Astrit Mara ka vendosur që organet e Julindës të dhurohen për personat që kanë nevojë për një transplant.
“Ajo shqetësohej gjithmonë për të tjerët dhe do të kishte dashur t’i jepte shpresë për jetën dikujt, ndaj kemi dhënë miratimin për dhurimin e organeve.”-kanë thënë familjarët e 37- vjeçares.

Në varrimin e Julindës kanë qenë të pranishëm shumë persona nga komuniteti ku ata jetonin duke përkrahur familjen në këto moment të vështira dhe duke shprehur admirimin mbi gjestin që preku shumë njerëz.
“Më habiti heshtja nderuese që të gjithë mbajtën në momentin që po thoja faljen. E ndjeva sesi të pranishmit ndanin me ne dhembjen e madhe!”-ka deklaruar bashkëshorti i së ndjerës, pas varrimit sipas traditave muslimane.

