Problematika e dhunës fizike dhe psikologjike që ekziston në familjet shqiptare vazhdon të mbesë një nga fenomenet më të diskutuara pasi çdo ditë dëgjojmë raste të ndryshme të dhunës brenda familjarëve. Së fundmi ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave ka qenë historia e Mihane Mena e cila ka kaluar një jetë të mbushur me problem dhe vuajtje për shkak të vjehrrës së saj.
Siç ka rrëfyer edhe ajo ditën e sotme në emisionin ‘Me zemër të hapur’ vjehrra e saj nuk e ka pranuar kurrë si nuse dhe gjithmonë është përpjekur që ta ndaj atë nga djali i saj.
Mihanja ka treguar se në vitin 2010 kur çifti kishte dy fëmijë ë mitur vjehrra e saj kërkoi nga i biri që ta ndante dhe kështu ajo e nxori nusen e saj nga shtëpia dhe MIhanja për më shumë se një muaj ka hyrë në shtëpinë e saj nga dritarja.

Dy vëllezërit e saj e kanë ndihmuar duke i hapur një derë nga ana e bulevardit në rrugën "Jordan Misja" dhe duke i bërë një shtesë me llamarina. Mirëpo nga plani urbanistik që u bë në këtë zonë, një pjesë e shtëpisë u prish. Sipas nuses vjehrra mori një shumë parash nga firma që e prishi. Kështu nga qershori deri në nëntorin e kaluar ata kanë fjetur në kushte shumë të vështira. Mirëpo tani që e kanë rregulluar ata nuk mund të dalin jashtë nëse nuk kalojnë nga dhoma e vjehrrës.
“Dilni nga shtëpia tani, nuk keni asnjë pjesë këtu, është e imja e gjithë shtëpia. Ose lëre nusen ose dilni të dy përjashta", është shprehur vjehrra e saj.
Dhe sikur mos të mjaftonin këto vjehrra e saj e ka denoncuar të birin dhe nusen për dhunë psikologjike dhe kështu ka përfituar urdhër mbrojtje nga ana e policisë. Tani vjehrra dhe kunata e provokojnë çdo ditë nusen, ndërkohë që burri i saj është në burg.
“Duke futur Kujtimin në burg dhe duke dëbuar mua dhe dy fëmijët nga banesa, po tentojnë të shkatërrojnë familjen. Kjo luftë duhet të marrë fund dhe Kujtimi të dalë nga izolimi pasi është i pafajshëm. Kur flasin për mua thonë erdhi kjo rrugaçja, erdhi nga rruga. Më provokojnë. Plaka ka marrë urdhër mbrojtje nga unë para një muaji, por unë nuk i kam bërë asgjë, as nuk i kam folur", ka treguar e prekur Mihanja.
