Nga Shqipëria / E Martë 27 Shkurt 2018, 15:03

Burri vret gruan por mjeku në Fier e ndihmoi të duket vdekje natyrale, zbulohet skandali pas 1 viti

Ditën e sotme të gjithë janë shokuar pas lajmit se pas një viti është zbardhur vrasja e një gruaje nga Fieri që  një mjek në Fier e ka regjistruar si vdekje natyrale, por në fakt atë e kishte vrarë bashkëshorti.

Siç bëhet e ditur nga autoritetet blu ditën e sotme është arrestuar Namik Vela nga Patosi i cili dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij në Janar të vitit 2017 dhe pasi e ka çuar atë në spital në bashkëpunim me mjekun shtetasin I.T, i cili ushtronte profesionin e tij në Urgjencën e Fierit e kanë shënuar vdekjen e shtetases V.V si vdekje natyrale.

Pas disa muajsh hetime nga ana e Policisë së Fierit dhe Krimeve të rënda në Tiranë dhe mbledhjes së provave është kërkuar arrestimi i 75-vjeçarit i cili do të dënohet me “Arrest në Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal.

Gjithashtu është bërë e ditur se edhe mjekut, shtetasit I.T i është hequr e drejta ushtrimit të profesionit dhe ka filluar procedimi penal për veprën penale "Shpërdorim i detyrës" dhe është dhënë masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" në Policinë Gjyqësore.