Nga Shqipëria / E Martë 27 Shkurt 2018, 14:02

Mediat e huaja: Shqiptarët më mirë barinj në Greqi sesa të rrinë në Shqipëri

Mediat gjermane së fundmi kanë bërë një reportazh për emigrantët  shqiptar në Greqi të cilët preferojnë që të punojnë si barinj në vendin fqinjë sesa të kthehen në vendin e tyre.

"Shqiptarët preferojnë më mirë të punojnë si barinj në Greqi, sesa të jenë të papunë në vendin e tyre", kështu e nisë reportazhin Radioja Kombëtare Gjermane DFL ku ndër të tjera tregon sesi emigrantët e larguar nga Shqipëria në vitet ‘90 nuk pranojnë që të rikthehen në atdheun e tyre për shkak të varfërisë dhe papunësisë që atje ekziston.

Reportazhi është kryer në zonën e Epirit, ku siç ka raportuar edhe gazetari emigrantët punojnë për shumë pak lek dhe në kushte shumë të vështira pune.

“Më mirë bojaxhinj, ndërtues apo barinj, sesa të papunë në atdheun e tyre”, shkruan gazeta, për shqiptarët në Greqi.

Në shkrimin e tij gazetari gjerman ka treguar edhe historinë e një bariu grek, i cili shkonte në kufirin greko shqiptar për të gjetur një bari të ri të cilin do e punësonte dhe pa dokumente, pasi sipas tij nuk mund ta mbante tufën pa barinjtë shqiptar sepse grekët preferojnë të vazhdojnë studimet e mos të merren me këto punë.

Ndër të tjera në këtë shkrim është intervistuar edhe një 50-vjeçar shqiptar i cili është shprehur:

“Nuk ka pasur punë për ne në Shqipëri. Politikanët mendojnë vetëm për veten dhe xhepin e tyre. Prandaj i braktisëm gratë dhe fëmijët tanë. Kushtet e punës janë të vështira në Greqi. 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë për 400 euro në muaj. Ku mund të punonim në Shqipëri? Kam ardhur këtu vullnetarisht, dhe këtu funksionon kështu: Sa të punosh aq edhe do të marrësh".

Gjithashtu në shkrim shkruhet dhe për  lehtësinë e madhe të kalimit të kufirit i cili rezulton të jetë pa mbikëqyrje.

“Këtu kufijtë janë në pyll, pa rrjetë teli. Nuk ka mbikëqyrje. Kushdo që ka njohuri për rajonin e Epirit mund të kalojë me lehtësi kufirin greko-shqiptar prej 300 kilometrash dhe të hyjë në BE pa u vënë re. Kjo është veçanërisht e njohur për trafikantët e drogës.
Sipas policisë greke, rreth 65% e kanabisit të konfiskuar u transportua në Shqipëri nga Shqipëria në 2016. Në një shpat prej rreth 600 metrash ka stalla të mjaftueshme për rreth 1 mijë dhi dhe dele. Në këto stalla, megjithatë, rrallë takon grekë. Shumë shqiptarë, si Nikos, 35 vjeç apo Tariku, 50 vjeç, punojnë që nga në vitet ’90 Siç thanë ata, në atdheun e tyre nuk kishin punë."