Nga Shqipëria / E Hënë 26 Shkurt 2018, 17:05

Babai i Evisa Prekës thirrje publike: Vajza është në gjendje shoku ka nevojë për ndihmë

Ditën e sotme një javë pas tragjedisë që i mori jetën katër pjesëtarëve të familjes Preka, e vetmja e mbijetuar nëna e fëmijëve Evisa Preka ka mësuar lajmin tronditës që bashkëshorti i saj dhe tre fëmijët kanë ndërruar jetë. Siç kanë treguar edhe familjarët e saj ajo ndodhet në gjendje shoku dhe kërkon fëmijët e saj. Ai që ka marr guximin ti thotë të vërtetën ka qenë babai i saj Nuredin Lika, i cili është shprehur për News 24 se askush nuk kishte zemër ti thoshte se çfarë kishte ndodhur në realitet.

Mes lotësh ai ka treguar se mjekët po e mbajnë me qetësues sepse Evisa kërkon vetëm që të shkojë tek varri i familjes së saj.

“E kisha shumë të vështirë t'i tregoja vajzës për ngjarjen. Asnjë s'e mori përsipër t'i tregonte. Zoti më dha forcë. Vajza ndiente që diçka e keqe kishte ndodhur. Ajo pa të shoqin me dy fëmijët në tokë pas përplasjes. Shpresonte që vajza e madhe të kishte shpëtuar. Mjekët i japin ilaçe, por sapo zgjohet, kërkon fëmijët. Evisa po lufton për jetën" shprehet babai i saj Nuredin Lika.

Familjarët e saj  kanë kërkuar ndihmë publikisht për vajzën e tyre pasi siç janë  shprehur ajo ka nevojë që të kurohet jashtë shtetit pasi gjendja e saj nuk është aspak e mirë. Ata kanë rrëfyer se përveç mjekëve askush tjetër nuk ka treguar interes mbi gjendjen e saj.

“Asnjë nuk ka ardhur ta vizitojë vajzën deri tani. Shteti duhet të ndihmojë Evisën të reabilitohet. Ajo do të qëndrojë dhe 2-3 javë në spital. Shteti të na ndihmojë ta çojmë jashtë shtetit", ka thënë ai.

Më vonë ka qenë edhe vëllai i saj Artur Lika i cili mes dhimbjesh ka treguar që po i qëndrojnë pranë motrës që sado pak ti lehtësojnë dhimbjen.

“Jemi pranë motrës t'i lehtësojmë sado pak dhimbjen. I kërkon tre fëmijët gjatë gjithë kohës. Kërkon të shkojë sa më parë në varreza."