Aksidenti tragjikë që ndodhi në aksin Shkodër-Velipojë që i mori jetën një familje të tërë ka qenë së fundmi një nga lajmet që tronditi mbar opinionin publik. Siç është bërë i ditur edhe raporti i ekspertëve të qarkullimit rrugor të cilët për ‘Gazetën Shqiptare’ janë shprehur se drejtuesi i mjetit Alfa Romeo po udhëtonte me një shpejtësi shumë të lartë dhe duke qenë se në atë pjesë të rrugës nuk ka as ndriçim përplasja qe fatale.

Ata janë shprehur se përveç ndriçimit ka ndikuar edhe rruga e cila ishte e lagur dhe dyshohet që të dy drejtuesit e mjetit kanë qenë duke udhëtuar me drita të gjata dhe si rezultat i kanë vështirësuar njëri-tjetrit shikimin.

Ekspertët janë shprehur se faj ka pasur edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili gjithashtu ka qenë me shpejtësi. Ata janë përplasur në vijën ndarëse të korsisë dhe kjo gjë e vështirëson më shumë nxjerrjen e konkluzioneve. Mirëpo ata shprehen se shkaktari kryesor ka qenë Edmond Preka.

Nga ky aksident fatal mbeti i vdekur vetë drejtuesi i mjetit Edmond Preka, djali i tij vetëm pak muajsh edhe dy vajzat e tij. Gruaja e tij Evisa Preka ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ende nuk është në dijeni të tragjedisë, ndërsa të plagosur ngelën dhe dy personat që udhëtonin në automjetin tjetër.

Siç dihet pjesa e rrugës ku ka ndodhur aksidenti është tepër e rrezikshme dhe aty edhe më herët kanë ndodhur shumë përplasje për shkak se mjetet ecin me një shpejtësi shumë të lartë.


