Mbrëmja e djeshme mund të quhet padyshim mbrëmja ku këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa triumfoi përpara të gjithë botës duke rrëmbyer dy çmime tepër të rëndësishme në Brit Awards 2018.

Ajo u shpallë fituese e çmimit ‘Artistja më e mirë femër britanike" dhe "Debutuesja më e mirë", duke shkruar kështu histori. Dua në momentin që ka shkuar të marr çmimin e saj është shoqëruar nga vëllai e motra dhe e emocionuar ajo ka bërë një fjalim që është duartrokitur shumë nga turma.

"Dua të falenderoj çdo femër që ka qenë në këtë skenë përpara meje, që i ka dhënë vajzave si unë, jo vetëm vajzave në industrinë e muzikës, por çdo vajze në shoqëri, një vend për t'u frymëzuar, për t'u marrë si shembull dhe që na lejoi të ëndërronim. Faleminderit shumë. Kjo është për më shumë femra në këtë skenë, për më shumë fituese femra dhe më shumë femra që mbizotërojnë botën", u shpreh këngëtarja, duke ngritur gjithë sallën në këmbë duke duartrokitur dhe brohoritur për triumfin e Duas.


