Edhe pse nuk jemi mësuar që vendi jonë të renditet i pari në ndonjë klasifikim botëror, ditën e sotme të gjithë janë surprizuar (jo për mirë), pasi në bazë të një klasifikimi Shqipëria është renditur në vend të parë në rang botëror, duke qenë se ka numrin më të madhe të kafeve në raport me popullsinë.

Sipas INSTAT në vitin 2016, numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 barrestorante).

Ndërsa nga ana tjetër ‘Monitor’ shkruan se duke e llogaritur në raportin e popullsisë së vendit del se ka një kafe për çdo 152 banorë. Vetëm brenda një viti Shqipëria madje ka lënë pas edhe Spanjën, e cila ka qenë përherë shteti që mbante rekordin më të madh për kafenetë në raport me popullsinë.

Kjo pasi për shkak të krizës ekonomike në Spanjë në katër vitet e fundit janë mbyllur plotë 70 mijë kafene dhe restorante. Ndërsa në vendin tonë edhe pse numri i popullsisë vjen duke u ulur, në periudhën 2013-2016 janë hapur 4,569 bar-kafe dhe 1,160 bar-restorante të reja.




