Nga Shqipëria / E Enjte 15 Shkurt 2018, 17:05

E trishtë, babai shqiptar çon 3 fëmijët në jetimore: pa nënë dhe vuajnë për bukën e gojës

Historia e  trishtë  e tre vogëlushëve me origjinë nga Tepelena ka prekur zemrat e shumë qytetarëve ditën e sotme e ka marrë vëmendjen e shumë mediave për shkak se ata që në moshë fare të vogël kanë përjetuar shumë fatkeqësi.

Bëhet fjalë për Denin 5 vjeç, Jonelën 3 vjeçe dhe Rafaelën 11 mujshe të cilët si fillim humbën nënën e tyre dhe tani edhe babai është i detyruar që ti braktisë.

Historia e tyre dramatike fillon që në gusht të vitit të kaluar kur kësaj familjeje ju refuzua azili në Gjermani dhe u detyruan që të braktisnin jetën e tyre atje për tu riatdhesuar. Nga presioni i madh dhe depresioni 31 vjeçarja Elvana Nanaj i dha fund jetës së saj duke u vetëvrarë.

Sipas Gazetës Shqiptare  38-vjeçari Bledar Nanaj, i detyruar nga rrethanat, pasi kryen të gjitha procedurat për të sjellë trupin e bashkëshortes në vendlindje, kthehet edhe vetë me tre fëmijët.

Por vështirësitë që ata po përballen e ka bërë Bledarin që të heq dorë nga kujdestaria e fëmijëve dhe ti braktisë ata. Ndërsa vajzën e porsalindur e mori nën kujdes nusja e kushëririt të tij, tashmë edhe dy fëmijët e tjerë duhet ti braktisë pasi nuk ka se me çfarë ti ushqejë.

"Jetojmë në mjerim dhe mungesa e ndihmës nga ana e shtetit është zero…Punë nuk ka, nuk di çfarë të bëj”.

Ai është shprehur se nga dëshpërimi dhe pamundësia është i detyruar të braktisi edhe dy fëmijët e tjerë.

“Jam i detyruar t’i lë, me mua po vuajnë për bukën e gojës. Ime shoqe e dinte këtë gjë ndaj edhe i dha fund jetës. Ajo shpëtoi, ndërsa unë?!”, shton mes lotësh Bledari i dorëzuar tashmë.