Nga Shqipëria / E Enjte 15 Shkurt 2018, 12:12

Historia prekëse: 2 të moshuar shqiptar u dashuruan në azil por nuk i lënë të flenë bashkë

Mbrëmja e djeshme në ‘Top Show Magazine’ ka qenë e mbushur me plotë të papritura por një ndër ngjarjet që do të mbahet mend është historia e dy të moshuarve të cilët u dashuruan në azilin e pleqve dhe  arritën të martoheshin live në emision.

Bëhet fjalë për Vagjelicën 80-vjeç dhe Et’hemin 83-vjeç, të cilët ishin të ftuarit e mbrëmshëm dhe kanë rrëfyer historinë e tyre të dashurisë që lindi që në momentin e parë kur Vangjelica kishte mbërritur në azilin, ku ata të dy jetojnë. 80-vjeçarja ka rrëfyer se Et’hemi i ka propozuar asaj 3 ditë pasi ajo kishte mbërritur në azil.

“Mos e ngacmoni se ajo është e imja, u thashë ‘çunave’ të tjerë.”- tregoi i moshuari.

Dëshira e tyre e madhe ishte që ata të martoheshin dhe kjo gjë u realizua përpara syrit të miliona shikuesve. Vangjelica dhe Et’hemi u martuan live në emision nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Por pavarësisht se ata tashmë janë zyrtarisht burrë e grua, çiftit i kishte mbetur edhe një problem tjetër i pazgjidhur.

Drejtoresha e institucionit ku jetojnë nuk i lejon të flenë bashkë. Kështu, për një vit rresht ata pjesën më të madhe të kohës e kanë kaluar në korridor.

Por tashmë që çifti i dashuruar janë të martuar nuk mund t’i ndalojë dot më askush të jenë bashkë deri në fund të jetës.