Nga Shqipëria / E Martë 13 Shkurt 2018, 12:12

Shqipëria po plaket: Ja sa kemi ngelur pas emigrimit dhe lindshmërisë së ulët

Shqipëria është drejt plakjes dhe kjo sipas të dhënave të fundit të INSTAT, të cilat japin alarmin se popullsia e vendit tonë  ka pasur një rënie me 2% ose e thënë në shifra rreth 19 mijë persona.

Sipas të dhënave që janë nxjerr, nga Shqipëria janë larguar të gjithë të rinjtë dhe kanë mbetur vetëm të moshuarit. Në bazë të një llogaritje që është bërë në fillim të vitit 2018 është vënë re se janë pakësuar rreth 19 mijë persona  të grupmoshave 0 deri në 40 vjeç duke e krahasuar me një vit më parë.

Sipas ekspertëve në plakjen e popullsisë po ndikojnë shumë faktorë të cilët dita ditës po shtohen edhe më shumë. Një ndër tyre është pakësimi i lindjeve. Në Shqipëri ka pasur një rënie drastike të lindshmërisë dhe kjo pasi të rinjtë nuk po lindin më si më parë.

Një faktor tjetër është gjithashtu edhe emigracioni i lartë, i cili ka ndikuar shumë në këto statistika. Rënia më e madhe e popullsisë i takon grup moshës 10-14 vjeç, të cilët ishin 10.500 persona më të pakët në numër se vitin 2017.

Sipas të dhënave edhe forca e punës është pakësuar me 1.1% dhe grupmoshat e hershme 20 dhe 40 vjeç që përben moshën më aktive është pakësuar në mënyrë drastike me 3.777 mijë.

Ndërsa popullsia në mbi 65 vjeç u shtua me 11.216 persona më 2017, duke u rritur në mbi 3% brenda vitit.

Ndërkohë sipas përllogaritjeve deri në vitin 2031 popullsia aktive e vendit tonë do të bjer me ritme shumë të shpejta rreth 18%  në krahasim me popullsinë e përgjithshme dhe mendohet se kjo do bëhet në të gjitha qarqet duke përjashtuar qytetet ku rritet popullsia nga migrimi si Tirana, Vlora dhe Durrësi.