Largimi i dy reperave të famshëm Getinjo dhe Mozzik nga labeli i njohur ‘On Records’ u shoqërua me shumë polemika muajin e kaluar, ku që të dy palët patën reagimet e tyre lidhur me largimin. Mirëpo edhe pse gjërat u qetësuan ish menaxheri i dy vëllezërve ashtu siç kishte paralajmëruar, i hodhi ata në gjyq për prishje të kontratës.

Për këto lajme të cilat prej javësh kanë marrë vëmendjen e të gjitha mediave online, ka reaguar edhe Getinjo së fundmi në ‘Express’ për televizionin KTV. Ai ka treguar se gjithçka nisi kur dy vëllezërit dhe menaxheri i tyre patën disa mosmarrëveshje, që solli dhe largimin e tyre.

“S’kemi qenë të respektuar dhe të vlerësuar si duhet dhe kemi pasur shqetësime që kanë mundur të mos jenë hiç. Mospajtime. Mosmarrëveshje”, është shprehur Getinjo.

Mirë po dy djemtë tashmë duhet të përballen në prokurori me Met Eshanin, i cili i ka akuzuar ata dhe për prishje të kontratës pa lajmëruar dhe për prishje të imazhit të ‘On Records’, dhe si dëmshpërblim ai kërkon një shumë të majme, plote 1.5 milion euro.

Për emisionin ‘Express’ ka folur edhe avokati i angazhuar nga ana e ‘On Records’ Korab Rexhepi, i cili ka sqaruar më tej edhe shkaqet e padisë.
Rexhepi tregon se paditë janë të ndara për Mozzik dhe Getinjon. Padia e ngritur ka një shumë tejet të madhe të të hollave.

Dy reperët kanë marrë ftesat për t’u paraqitur në gjyq, por ende nuk dihet nëse do të paraqiten në seancën e parë në Gjykatën Themelore.
Sipas shtëpisë diskografike, Mozzik dhe Getinjo përveç dëmtimit material, kanë dëmtuar edhe imazhin e labelit në fjalë.

Ndër të tjera reperat kanë bërë me dije se ata kanë angazhuar një avokat i cili do të merret me këtë çështje në gjykatë.
Kujtojmë se tashmë dy këngëtarët kanë hapur labelin e tyre i cili quhet ‘2eurogang’ dhe kanë lajmëruar se shumë shpejt do të publikojnë këngët e tyre të reja, duke qenë se ‘On Records’ i ka fshirë të gjitha këngët e vjetra të djemve nga Youtube.


