Ditën e sotme Agron Llakaj i cili ka qenë i ftuar në emisionin ‘Chaud Patate’ në Energy Radio përveç emisionit të tij ka folur edhe për marrëdhënien që ka me disa nga personazhet të cilët ai i imiton në ‘Al Pazar’.

Një nga rolet më të diskutuara ka qenë ai i Lirës, që sipas shumë njerëzve ngjason shumë me rubrikën ‘Shihemi në Gjyq’ që drejtohet nga Eni Çobani. Por ky imitim i Agron Llakaj ka pasur shumë diskutime, madje edhe një reagim nga ana e juristes së njohur pak kohë më parë në emisionin ‘Mos i fol shoferit’, ku Eni ka deklaruar se aktori ushqehet duke shfrytëzuar figurën e saj.

“Si mundet një njeri që ta quajë veten artist kur shpërfytyron dikë duke nxjerrë një figurë të pavërtetë. Më imito dhe unë do të vij madje të të përqafoj dhe të jem në krahun tënd, të bëjmë që të dy për të qeshur , por jo të shpërfytyrosh figurën time. Këtë gjë nuk e lejoj. Më vjen mirë vetëm për një gjë, që atij njeriu po i jap të drejtën të hajë bukë. Por duhet të jesh e bindur që jo vetëm për Enin mbi të cilin është ngritur ky personazh por një pjesë shumë e madhe e popullit shqiptar nuk e gjejnë fare Enin në këtë figurë.” – përfundon juristja.

Por ditën e sotme Llakaj i ka sqaruar të gjitha, duke treguar se ai personazh në fakt nuk është Eni Çobani, por janë disa figura të mbledhura bashkë që kanë krijuar personazhin e quajtur Lira.

“Unë me komente nuk merrem, por kam dëgjuar se ka thënë se Agron Llakaj ushqehet me mua. Por nëqoftëse ka një pjesë banale te Ardit Gjebrea është pikërisht gjyqi i Eni Çobanit. Dhe si të tillë unë e kam marrë gjetje për të demaskuar këtë lloj gjyqi, pasi ajo mund të jetë një avokate e së drejtës, por ajo është një banalitet. Dhe duke u nisur nga popull kështu si jemi ne, që i ka sytë te ekrani për punë dhe për të ardhme, këtë do ta quaja banalitet, varfëri shpirtërore e njerëzve që nuk kuptojnë se ç’do të thotë të ndërtosh të ardhmen.” – sqaroi ai.




