Ditën e sotme një lajm i trishtë vjen nga partia e LSI-së ku një nga anëtaret e saj dhe ish kryetarja e njësisë numër 6 është ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta në moshën 47-vjeçare.

Bëhet fjalë për Luizhiana Abazi, e cila është një nga themelueset e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Lajmin e vdekjes së saj e ka shprehur në rrjetet sociale dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila nëpërmjet një dedikimi të ndjerë ka shprehur dhimbjen për humbjen e mikeshës dhe koleges së saj.

“Nuk mund të shkruaj, ka orë që mundohem por është vështirë. Luzhi u largua fizikisht sot nga ne, duke na lënë një dhimbje dhe boshllëk të pazëvendueshëm. Energjia dhe dashuria që ajo na dhuronte pa kushte do të na mungojë gjithmonë. Ndoshta sëmundja e rëndë ja doli të të mundë përkohësisht, por ti do jesh engjëlli që do na shohësh e do kujdesesh për ne, siç ke bërë gjithmonë. E dashur motra ime, mikeshë e zemrës dhe e betejave tona, do të jesh gjithmonë pjesë e imja, në ditë të vështira dhe të mira. Sepse askush nuk mund ta zëvendësojë forcën dhe kurajon që vëtem ti dije të na jepje si askush.”-ka shkruar në Facebook Kryemadhi, dukshëm e rënduar emocionalisht.


