Historia prekëse e familjes Bogdani nga fshati Rrajca ka tërhequr së fundmi vëmendjen e mediave dhe jeta e tyre e vështirë e mbushur me sëmundje dhe varfëri ka bërë shumë lexues të përloten.

Ata prej kohësh jetojnë në fshatin Rrajc dhe janë një nga familjet më të varfra, që prej një viti jetojnë pa energji elektrike, pa ujë dhe pa ushqim.

Sipas ‘Dritare.net’ kjo familje është e përbërë nga tetë fëmijë dhe nëna e tyre Zana Bogdani, e cila e vetme mundohet me mish e me shpirt ti sigurojë bukën e gojës fëmijëve. Gjëja më prekëse në këtë familje është se 3 nga tetë fëmijët janë me sëmundje mendore dhe asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë marrë një trajtim.

Siç janë shprehur edhe fshatarët e tjerë kjo familje jeton në mjerim dhe askush nuk po i ndihmon dot, duke qenë se babai i fëmijëve është në burg sepse sipas familjarëve është dënuar padrejtësisht.

Vajza më e madhe me lot në sy ka treguar sesi është detyruar që të braktisi shkollën sepse nxënësit e tjerë e tallnin dhe e ofendonin, dhe për këtë arsye ajo është izoluar brenda shtëpisë për muaj të tërë.

E dëshpëruar gjëja e vetme që vajza ka kërkuar ka qenë ushqimi.
“Dua vetëm të ha. Jetojmë të gjithë në një dhomë, aty hamë nëse kemi, aty flemë. Kurrë nuk jemi ngopur, kurrë nuk kemi qeshur, mami ikën me vrap, motra ulëret, vëllai nuk flet”, është shprehur ajo duke qarë.


