Divorci është një fenomen që sipas statistikave të fundit në Shqipëri po rritet nga viti në vit dhe po kthehet në një fenomen shqetësues për familjet shqiptare. Mosha kur divorcet janë më të zakonshme është rreth të 30-ve por në Shqipëri divorci tek moshat e treta është ende një gjë jo shumë e zakonshme prandaj dhe historia e Vera Shkëmbit, një 65-vjeçare nga Korça që burri i saj i kërkoi divorc për shkak se u lidh me një femër tjetër, ka tërhequr vëmendjen e mediave.

Siç është shprehur dhe Vera për ‘Top Channel’ shkak për ndarjen e saj është bërë një grua tjetër.
“E kishte tjetrën ai atje ku punonte. Biles kam rastisur që kam vajtur kam mbledhur ullinj edhe ajo ka ardhur deri tek dera. Donte nuse të re! Vinte në shtëpi dhe zihej më mua. E kisha frikë në fakt se kur pinte s’u njihte se kush ishte. Për divorcin nuk më tha fare. Vjen postieri dhe lë letrën e gjyqit. Mua më shkoi mendja tek fëmijët, se nuk kisha mendjen tek ky. ‘Hyr e dil këtë javë sa të hapet gjyqi, se pastaj do të të ndaj!’ – kështu më tha.”-u shpreh 65-vjeçarja, e cila ka 2 fëmijë me ish-bashkëshortin dhe të dy janë gjyshër të 5 nipërve.

“Kur kam vajtur afër gjykatës, thashë që më mirë të mos ekzistoj si njeri. Më vinte turp, zor, keq! Më vinte edhe keq. Vdekjen e dija, por që të ndahesha, nuk më shkonte mendja kurrë!”-rrëfen Vera, e cila tashmë jeton në Tiranë së bashku me të bijën dhe nipin e saj.

Megjithatë problem kryesor për zonjën Vera është se ajo nuk ka pension dhe për këtë gjë i është dashur të hapi tre herë gjyq . 65-vjeçarja merr vetëm 25 mijë lek ndihmë ekonomike, lekë këto që shkojnë të gjitha për ilaçet e saj. Ndërsa shtëpia ku ajo ka jetuar gjatë martesës gjithashtu është në proces legalizimi dhe në emër të ish bashkëshortit të saj, i cili e ka kërcënuar se me përfundimin e divorcit, do ta nxjerrë në rrugë.

