E enjtja është kthyer padyshim në një ditë ku rivaliteti mes televizioneve më të njohur në Shqipëri është i madh, duke qenë se çdo njërin prej tyre ka nga një emision politik që konkurron njëri-tjetrin me audiencën.

Opinioni në Klan, Të paekspozuarit në Top Channel, Real Story në Vizion Plus, Studio e Hapur në News 24 dhe 360 gradë në Ora News janë emisionet ku publiku shqiptar zgjedh për të kaluar mbrëmjen e së enjtes. Por mesa duket edhe pse asnjëri nga ata nuk e shpreh hapur i tremben konkurrencës që mund të vij nga njëri-tjetri.

Që prej javës së kaluar, ku moderatori i emisionit Blendi Fevziu tha se nuk ndjen asnjë konkurrencë, por rivali i tij i vetëm është një telenovelë turke në Klan Plus, ka ardhur edhe reagimi i gazetares Eni Vasili, e cila në një intervistë për ‘Panorama’ është pyetur se nëse i trembej konkurrencës, dhe me përgjigjen e saj ajo nuk ka ngurruar ti japi një kundërpërgjigje Fevziut.

“Studio e hapur” është një program që konkurron mbi të gjitha me veteveten, duke qëndruar fanatike e misionit të gazetarit. Gjithçka tjetër është telenovelë turke, që vazhdon prej 20 vitesh. Kurbat e paguara të audiencës që vendosen nëpër tavolina kafenesh apo portale të ndryshme, nuk më shqetësojnë apo kompleksojnë…” ,- është shprehur gazetarja. Sipas Vasilit lakmuesi i vetëm për të është publiku. Ai i seleksionon mjaft mirë dhe në fund vendos kë duhet të besojë.




