Nga Shqipëria / E Enjte 1 Shkurt 2018, 19:07

Flet biznesmeni shqiptar që tregoi publikisht që është gey: Ja si reaguar njerëzit pas deklaratës sime

Elton Ilirjani është drejtori i një prej kompanive të rekutimit në Tiranë, i cili një javë më parë habiti të gjithë teleshikuesit kur deklaroi live në emisionin 'Opinion' se ishte gey. Ai ditën e sotme ka qenë i ftuar në emisionin 'Rudina', ku ka treguar diçka më shumë rreth këtij fakti dhe punë së tij.

Përveç se ka pranuar se puna e tij në kompani po ecën shumë mirë, Eltoni ka rrëfyer edhe momentin e vështir kur i është dashur ti thotë prindërve të vërtetën për prirjet e tij seksuale.

“Kur i thash tim eti ai sigurisht nuk u lumturua për këtë fakt. Më tha që kjo që po bëj unë s’është e gabuar, por është rruga më e vështirë sepse në Shqipëri dihet si janë këto punë. E ndërsa unë i thash se nuk mundem të frenoj ndjenjat e mia, sepse i bie të luftoj me veten. I bie të vdes dhe të mos jetoj veten time. Ndërsa nënës, nuk i erdhi mirë, e pati më të vështirë, por s’më tha kurrë asgjë negative.”- tregoi ai.

Ndër të tjera ai tregoi dhe për paragjykimet e shumta që e kanë ndjekur atë gjatë gjithë jetës, e sidomos në punë.

“Nuk më pranonin se isha ndryshe. Jam refuzuar në intervista pune dhe kur filloja punë talleshin me mua. Unë gjithsesi se kam prishur kurrë gjumin tim sepse nuk shtiresha. Si mund të flija nëse do të shtiresha? Si mund të merrja në qafë një grua dhe të martohesha me të, vetëm për shkak të opinionit? Do t’i shkatërroja jetën. Ndërsa kështu, jetoj jetën time dhe s’bezdis askënd.”- përfundoi Eltoni.