Presidenti i Republikës Ilir Meta ka qenë sot i pranishëm në një koncert bamirësie, ku ishin të mbledhur shumë artistë që do këndonin për të grumbulluar të ardhura që do venin në mbrojtje dhe në riintegrimin e personave që janë viktima të trafikimit dhe dhunës.

Gjatë momentit të fjalimit të tij ai ka dhënë një lajmërim të rëndësishëm, që ka të bëjë me të gjithë personat që dënohen për dhunë ndaj grave ose familjarëve të tjerë.

Siç ka treguar dhe presidenti duke u nisur nga rastet e fundit tragjike të studentes Murati dhe gjykatëses Hafizi, e shumë të tjerave të ngjashme ka vendosur se nuk do të trajtojë me falje të dënimit, asnjë person i cili është dënuar për dhunë në familje dhe njëkohësisht do kundërshtojë çdo amnisti të veprave penale të dhunës në familje apo të lidhura me to.

“Rastet e fundit tragjike, të Ariela Muratit dhe Fildez Hafizit, na bëjnë më të vetëdijshëm se që nga qeverisja qendrore, pushteti lokal, qendrat komunitare e sociale, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe çdo punonjës policie, prokuror e gjyqtar, të gjithë duhet të bashkëveprojmë për të parandaluar rënien viktimë të dhunës e trafikimit, të çdo vajze e gruaje shqiptare, të çdo të mituri apo personi në nevojë”./ Burimi:Panorama.
