Kuriozitete / E Martë 30 Janar 2018, 17:05

Njihuni me hotelin më të ‘zgjuar’ në botë, shtëpia robot ku gjithçka vetërregullohet

Mesa duket të gjitha ato gjëra të jashtëzakonshme që shihnim në filmat fantastiko-shkencor po fillojnë të bëhen reale dhe në jetën e përditshme dhe siç kanë treguar edhe shpikjet e fundit e ardhmja është këtu. Duke filluar që nga robotët, makinat fluturuese etj, çdo ditë e më shumë jeta e njeriut po pushtohet nga teknologji të reja dhe të paimagjinueshme.

Së fundmi diçka që ka habitur internetin ka qenë një hotel jo i zakonshëm në Japoni, i cili quhet Pro Pilot Park Ryokan, që konsiderohet si një hotel robot dhe kombinon gjithë traditat japoneze me teknologjitë e fundit.

E veçanta e këtij hoteli është se personat që do pushojnë në të mund të bëjnë sa rrëmujë të duan, e madje nuk kanë nevojë as për ndonjë pastruese që t’ju rregullojë gjithçka, pasi çdo gjë shkon vet në vendin e vet.

Për shembull nëse keni bërë një rrëmujë në krevat mos u habisni kur të shikoni jastëkët dhe çarçafët të rregullohen vet, e madje nëse shapkat fillojnë të lëvizin vetë mos u trembni, ato thjesht po parkohen në vendin e duhur. 

Në videon prezantuese ky hotel ngjanë pak i frikshëm në fillim, por më pas kupton që është shtëpia e ëndrrave për çdo kënd, e sidomos për nënat tona.

Gjithçka funksionon me një sistem automatik i përbërë nga një buton i vetëm, i cili aktivizon autoparkimin.