Nga Shqipëria / E Hënë 29 Janar 2018, 19:07

E përlotur motra e Arielës tregon momentet e tragjedisë: Vetëm në mendjen e tij mund të kenë qenë të lidhur

Ditën e sotme në 'Pasdite në Top Channel' ka qenë e pranishme motra e Ariela Murataj 21-vjeçares që u vra në mënyrë tragjike një javë më parë nga Aldison Belulaj, i cili e përndiqte atë prej kohësh. Ajo ka rrëfyer momentet tragjike kur 23-vjeçari i kishte dal përpara dhe i ka drejtuar pistoletën.

Sipas saj ato kishin lajmëruar më parë policin dhe asnjëri nuk i ishte përgjigjur, prandaj atë ditë ishin nisur drejt komisariatit numër 4 për të bërë denoncimin por nuk arritën kurrë.

“Unë atë ditë isha në shtëpinë time. Sapo po kthehesha për të shkuar në Tiranë, kam shkuar shumë shpejt. Kam kaluar diku te rreth një orë duke ndenjur me motrën. Hëngrëm drekën dhe shtrihemi. Ishim së bashku me kushërirën, kur na vjen një telefonatë nga çuni i  dajës që na thotë se Aldi ka ardhur në Tiranë, por me mend të këqija. Na tha se është nisur... ne marrim policinë, babin. Policia nuk na u përgjigj dhe pas asaj jemi nisur për në rajon numër katër. Rruga më e shkurtër ku ne mendonim se ai nuk ishte, ishte dalja nga spitali. Sa dalim, motra dhe kushërira kthejnë kokën për të parë nëse ndodhej apo jo. Nuk kemi parë asgjë, vendosëm kapelën për mos të na parë njeri dhe nxitojmë. Motrën e vendosëm para që edhe nëse do na kapte njeri, të merrte vetëm dikë nga neve. Në atë kohë ai vjen shumë shpejt me vrap, e kap motrën në dorën e djathtë dhe para derës së mjekësisë nxjerr pistoletën. Asnjëri s'na ndihmonte, nxori pistoletën dhe goditi motrën në këmbën e djathtë, na e drejtoi dhe neve pistoletën. Motra uli kokën nga dhimbja, s'e pashë ku mori plumbin tjetër"

Ndër të tjera Bora ka treguar se ata të dy nuk kanë qenë asnjëherë të lidhur por Aldisoni ishte i fiksuar dhe vetëm në mendjen e tij ata mund të kenë pasur diçka.

Asnjëherë nuk kanë qenë të lidhur. Ata mund të kenë qenë shokë sepse njiheshin kushërinjtë tanë, që ne i themi vëllezër. Vetëm në mendjen e tij mund të kenë qenë të lidhur. Unë kam jetuar me motrën dhe më mirë se mund të ja dijë motra-motrës sekretet nuk mund t’ia dijë askush tjetër. Nëse motra do të kishte diçka, ajo do të ma thoshte mua. Asnjëherë nuk kanë qenë të lidhur. Ata mund të kenë pirë edhe ndonjë kafe shoqërore, por asgjë më tepër. Ai e konsideronte motrën shoqe, ndërsa pasi ai e ka propozuar atë, ajo është shkëputur prej tij. Ai edhe më tej vazhdonte ta propozonte, por motra i thoshte jo” shprehet ajo.