Nga Shqipëria / E Hënë 29 Janar 2018, 12:12

Ariela dhe Aldisoni do të varrosen pranë njëri-tjetrit, flet djali i dajës: ‘Ata u deshën dhe vdiqën për një martesë’

Një javë pas vrasjes së 21-vjeçare Ariela Murati nga ish i dashuri i saj Aldiso Beluaj, i cili e përndiqte për disa kohë, ditën e djeshme ndërroi jetë në spital dhe 23-vjeçari i cili ditën e sotme do të varroset rreth orës 13:00 në Zharrës, në të njëjtin vend ku një javë më parë u varros dhe Ariela.

Ditën e sotme ka qenë djali i dajës së Aldisonit, Astrit Koroveshi, ai që ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka treguar së në varrimin e të riut nuk do të mungojë asnjë familjar dhe se dy të rinjtë do të prehen në të njëjtën varrezë .

“Në momentet e tij të fundit ishim të gjithë familjarët atje. Do të prehen të dy në të njëjtat varreza, në Zharrëz", tha Asriti.

Kur ai është pyetur se nëse i trembej ndonjë hasmërie mes dy familjeve, ka mohuar se një gjë e tillë mund të ndodhi dhe ka vijuar duke treguar se dy të rinjtë duheshin dhe nuk u vranë pa ndonjë arsye.

“S'kemi pse të trembemi sepse ndodhi diçka që ishte midis çiftit. Duheshin, kërkonin lidhje për martesë, jo për tallje. S'është se vramë dikë apo na vranë pa lidhje fare. Ajo që ndodhi s'ishte mirë as për ne e as për ata", ka treguar më tej ai.

Ndër të tjera ai ka treguar edhe për kurorat e vendosura disa ditë më parë në vendin e krimit ku u vra studentja 21-vjeçare.

“Kurorat na takonin t'i vendosnim. Është diçka që mund t'i ndodhë çdokujt. Ne jemi njerëz, tregon Koroveshi.

Ai e ka përfunduar intervistën e tij për mediat duke dhënë një mesazh, ku ka kërkuar paqe nga të dyja familjet dhe ka ngulmuar se një ngjarje e tillë mund të ndodhi në çdo çift.

“Paqe kërkojmë nga të dyja palët. Ata e deshën njëri-tjetrin dhe vdiqën për një martesë. Janë gjëra të jetës që mund të ndodhin në një çift. Uroj të mos i ndodhë asnjërit dhe të kemi të mira nga të dyja palët", ka përfunduar ai.