Nga Shqipëria / E Enjte 27 Prill 2023, 15:03

Intervista me logopeden Xhuljeta Qoku: Zhvillimi gjuhësor tek fëmijët dhe 'folësit e vonë'

Logopedët janë specialistë të aftë të vlerësojnë, diagnostikojnë dhe trajtojnë çrregullime të komunikimit tek fëmijët dhe lidhur me këtë temë për të cilën janë të interesuara shumë nëna na vjen në ndihmë logopedia shqiptare me bazë në Itali, Xhuljeta Qoku, e cila është e njohur edhe për videot e saj në Youtube dhe informacionet që jep në Instagramin e saj me mbi 34 mijë ndjekës.

Xing.al ka kontaktuar me Xhuljetën dhe ju sjell sot një intervistë që na ndihmon të mësojmë më shumë për çrregullimet e komunikimit tek fëmijët, përmirësimin e të folurit të tyre dhe shumë këshilla të tjera. Logopedia fokusohet tek përmirësimi i të folurit të fëmijëve e të të rriturve dhe tek përmirësimi i aftësive për të kuptuar dhe për të shprehur gjuhën, përfshirë edhe gjuhën jo verbale.

Për ata që ndoshta nuk janë të informuar, çfarë është logopedi, çfarë trajton dhe në cilat raste mund të na ndihmojë?

Në radhë të parë do doja t’ju falenderoja shumë për ftesën. Logopedi është profesionist i kujdesit shëndetësor, veprimtaria e të cilit konsiston në parandalimin, vlerësimin dhe trajtimin e patologjive dhe çrregullimeve të gjuhës, komunikimit, zërit, gëlltitjes dhe çrregullimeve konjitive në moshën pediatrike, të rritur dhe geriatrike.

Pra, logopedi mund të ndihmojë nëse në mendjen tuaj keni pyetje si:

Përse fëmija im nuk po flet ende?

Si mund ta ndihmoj të flasë më shumë?

Si të ndihmoj fëmijën të përmirësojë cilësinë e të folurit?

Unë belbëzoj, a mund të ndihmohem edhe pse në moshë të rritur?

Pas një aksidenti, babai im nuk flet dot, si mund të ndihmohet? Etj.

A duhet një referim nga pediatri për të filluar terapinë me një logopede apo çdo prind mund t'ju drejtohet?

Duke qenë pediatri, profesionisti me të cilin prindërit janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë, zakonisht rekomandohet që për çdo shqetësim të diskutohet me të. Pas një kontrrolli të përgjithshëm, është pediatri ai që referon më pas nëse është i nevojshëm një vlerësim logopedik apo një vlerësim i plotë i zhvillimit.

Kjo është rruga që ndiqet zakonisht, por nga ana tjetër, patjetër që prindi mund të drejtohet te logopedi edhe pa referim, në institucione private.

Kur është e nevojshme që prindi të drejtohet te logopedi?

Pa kaluar ende te fëmija, doja të thoja që nëse prindi ndjen dyshime apo ndjesi shqetësimi përsa i përket mënyrës se si po zhvillohen aftësitë gjuhësore të fëmijës, të nxitura këto nga biseda me persona të tjerë (krahasimi midis fëmijëve), mungesa e informacionit të saktë etj, mund të konsiderojë një bisedë me logopedin me qëllim orientimi: pra prindi merr informacione të qarta dhe ndjen më shumë siguri për mënyrën se si do mbështesë fëmijën gjatë rritjes. Kujtojmë që sidomos gjatë viteve të para të jetës, prindi është “mësuesi” më i rëndësishëm në jetën e fëmijës.

Një prind i cili ndjen shqetësim të vazhdueshëm e ka të vështirë të mbështesë fëmijën në mënyrën e duhur, ndaj një bisedë me logopedin, nëçfarëdo momenti që prindi e ndjen të nevojshme mund të bëjë diferencën.

Dhe më pas, duke u bazuar në gurët themeltar të zhvillimit të cilat shërbejnë si një udhëzues, (mund t’i gjeni dhe këtu: Kliko)prindi do arrijë të kuptojë se kur mund të jetë e nevojshme të drejtohet te logopedi.

Çfarë është një “folës i vonë” (“late talker”)?

Mund të konsiderojmë si një “folës i vonë” një fëmijë midis moshës 18-30 muajsh, i cili nuk përdor ende të folurin si mjet kryesor komunikimi, por arrin të kuptojë atë që dëgjon, përdor gjestet për të komunikuar dhe meson fjalë të reja, thjesht në mënyrë të ngadaltë.

A ka nevojë çdo fëmijë që është “folës i vonë” për ndërhyrjen e logopedit apo vetëm në raste të caktuara?

Do thoja që e shoh shumë të nevojshme të paktën një vlerësim të zhvillimit gjuhësor të fëmijës, në bazë të të cilit më pas vendoset nëse është e mjaftueshmeqë të ndihmohet paksa më specifikisht vetëm nga prindërit, apo është patjetër e domosdoshme ndihma e profesionistit.

Në rastet e fëmijëve që kanë një vështirësi në zhvillimin gjuhësor a ka përmirësim edhe sa kohë duhet zakonisht për të vërejtur ndryshimin?

Atëherë nisur nga eksperienca ime, gjatë kohës që punoja në Shqipëri, do thoja që patjetër me ndihmën e duhur, me tëcilën nënkuptoj, kur të gjithë personat që e rrethojnë fëmijën: familjarët, profesionisti/ët, edukatorja/mësuesja arrijnë të bashkëpunojnë në mënyrë produktive dhe me qëllimin e qartë që të ndihmojmë fëmijën të njohë potencialin e tij, sjellin përmirësime të dukshme.

Është pothuajse e pamundur të përcaktojmë se sa kohë duhet, pasi varet nga një shumëllojshmëri faktorësh: thjesht do theksoja që sa më herët të arrijmë t’ia ofrojmë ndihmën fëmijës, aq mëshumë do mundemi ta ndihmojmë.

Kur nisin zakonisht fjalët e para tek fëmijët? Si ta kuptojmë ndryshimin mes belbëzimeve dhe fjalëve? A quhen fjalë nëse fëmija i thotë në mënyrë të shkurtuar ose të ndryshuar?

Fjalët e para, kaq të ëmbla dhe të shumëpritura nga prindërit, zakonisht shfaqen rreth moshës 1 vjeçare (+/- 2 muaj). Belbëzimet janë përsëritje të vazhdueshme të rrokjeve, të cilat bëjnë pjesë në aftësitë paragjuhësore të fëmijës. Në ndryshim nga fjalët, belbëzimet nuk kanë një qëllim të mirëfilltë komunikimi.

Kështu në momentin që fëmija thotë psh “bababa”, por e thotë atë në mënyrë të vazhdueshme, ndërkohë që luan me kukullën, ndërkohë që ushqehet: thjesht po bën ende dhe pak praktikë për të kaluar më pas te fjala e vërtet.

Fjalët e vërteta janë ato të cilat fëmija i përdor në kontekst  (babi – duke thërritur/emërtuar babin); në mënyrë të pavarur (jo përsëritje pas prindit); të vazhdueshme.

Fjalët e para mund të jenë jo të plota (ba-babi), mund të mos ngjasojnë si fjalë(meh-uji), mund të jenë si tinguj (hamham-qeni) apo pasthirrma (oooho-ku dicka bie në tokë) pasi patjetër fëmija ende nuk arrin të artikulojë të gjitha fonemat.

Në cilën moshë presim që fëmija të formojë fjali?

Frazat e para dyshe (hajde mami/dua nane/vieni babi- për fëmijët dygjuhësh-) shfaqen zakonisht rreth moshës 2 vjeçare (+/- 2 muaj).

Eksiston një opinion që fëmijët bilingual shpesh kanë vonesë të të folurit. E vërtet apo mit?

Është një mit: fëmijët të cilët rriten me 1, 2 apo më shumë gjuhë kalojnë pothuajse në të njëjtat etapa të zhvillimit gjuhësor.

Një ndër arsyet përse kymit ekziston është sepse shpesh fëmija nuk vlerësohet në të dyja gjuhët.

A mund të ndani me ne këshillat më kyçe për të ndihmuar të folurën e fëmijës që prindërit mund t’i praktikojnë në shtëpi?

Patjetër: të jemi kuriozë dhe të njohim fëmijën: çfarë interesi ka, cila është mënyra që i pëlqen të luaj etj.

Të ndjekim këtë interes dhe të krijojmë ndërveprime favorizuese për zhvillimin e komunikimit: ulemi në nivelin e fëmijës, përdorim një të folur që i përshtatet aftësive të fëmijës, lëmë shpesh hapësira boshe që fëmija të mundet të komunikojë me ne etj;

E përfshijmë në punët e shtëpisë;

Lexojmë së bashku: libri një mjet vërtet i mrekullueshëm për të ndihmuar vogëlushët;

I lejojmë fëmijët të bëjnë kërkesa:  duke mos i paraprirë.

Në faqen time gjeni plot aktivitete praktike tëcilat mund t’ia përshtatni situatës suaj.

Ajo që do sugjeroja që prindërit të kenë parasysh në këtë periudhë është që thjesht të ndihmojnë fëmijën në mënyrë indirekt. Pra të evitojnë pjesën e korrigjimit të drejtpërdrejtë sepse askujt nuk i pëlqen të jetë i korrigjuar, madje as ne të rriturve. Kjo gjë sjell thjesht bllokim dhe fëmija nga ideja që mos të korrigjohet mund të mos i thotë më fjalët. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që kur fëmija i thotë fjalët në mënyrën e tij, supozojmë fjalën “lule”, e thotë “juju”, në vend që ta korrigjojmë fëmijën mundohemi ta përsërisim 2-3 herë fjalën në mënyrë të saktë, psh: “Po, është lulja, sa e bukur lulja”.

E rëndësishme është që ne t’i ofrojmë fëmijës modelin e saktë dhe kur ai të ndihet gati do e marrë këtë model dhe do arrijë ta përdorë.

Dhe diçka të fundit që doja të theksoja është pjesa kur herë pas here në mënyrë të natyrshme na vjen të qeshim, por duhet të kujtojmë që përballë kemi një individ, i cili ka emocione, ka ndjenja dhe nëse ne fillojmë të qeshim dhe e vëmë në lojë mund të ndihmojë shumë negativisht tek fëmija, si në aspektin sesi ai ndihet, edhe në pjesën e aftësisë për të komunikuar në tërësi.

Një temë e nxehtë debati është ekspozimi i fëmijëve ndaj teknologjisë: televizorit dhe paisjeve elektronike. A ndikojnë negativisht në zhvillimin gjuhësor të fëmijës?

Edhe kur e diskutoj me prindërit këtë pyetje, përgjigja ime është: nuk janë ekranet problemi, është mënyra se kur dhe si i përdorim ato!

Patjetër që ndikojnë negativisht, pasi fëmijët e vegjël nuk arrijnë të kuptojnë botën 2 dimensionale të ekranit.

Koha e kaluar në mënyrë pasive përballë ekraneve, bën që koha produktive dhe ndërvepruese e fëmijës me personat që e rrethojnë të jetë më e paktë.

Fëmija ka nevojë për ndërveprim, ka nevojë të përdorë të gjitha shqisat për të njohur botën që e rrethon dhe për të zhvilluar aftësitë e tij komunikuese.

Sipas opinionit tuaj si profesioniste e fushës, cila është mosha kur fëmija mund të prezantohet me ekranet dhe sa kohë duhet të kalojë para tyre për tu konsideruar praktikë e shëndetshme?

Sipas opinionit tim si dhe sipas World Health Organization (WHO) and American Academy of Pediatrics (AAP) sugjerohet që idealisht, deri në moshën 18-24 muajsh koha përpara ekraneve të jetë pothuajse 0.

Pas kësaj moshe mund të konsiderohet si një aktivitet alternativë, pra jo domosdshmërisht çdo ditë, me një orar të përcaktuar nga familja dhe të jetë të paktën njëri nga prindërit prezent, duke komentuar dhe diskutuar me fëmijën atë që po ndodh në ekran. Do theksoja që video-telefonatat nuk përfshihen, pasi janë momente ndërveprimi me personin që kanë përballë: për ne që jemi larg familjarëve është mundësi e shkëlqyer që vogëlushët të krijojnë dhe ruajnë mardhëniet me familjarët.

Nëse e ndërpresim ekspozimin e fëmijës me ekranet a mund të shohim përmiresime në aspektin gjuhësor?

Në pjesën më të madhe të rasteve, prindërit referojnë që shohim përmirësime të vogla, por të dukshme pothuajse menjëherë.

Në faqen tuaj në instagram dhe në youtube, ju ndani shumë këshilla falas për të ndihmuar të folurën tek fëmijët. Për një ndjekës të ri në faqen tuaj, me cilën video mund të fillojë?

Qëllimi i faqes sime është pikërisht të sjell sa më shumë video praktik  që prindërit të mund të ndjejnë fuqinë që kanë në rrugëtimin e zhvillimit gjuhësor duke e bërë atë sa më favorizues dhe përkrahës për fëmijën.

Video e parë që do doja të shihni prindërit/personat që vijnë në faqen time është kjo:

Jeta nuk është një garë:  

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Xhuljeta | Logopede dygjuhëshe (@logopediashqip)

Ju faleminderit, Logopede Xhuljeta