Nga Shqipëria / E Enjte 25 Janar 2018, 19:07

Flet për herë të parë babai i Arielës: ‘Na premtuan se vajzës s’do t’i prekej fija e flokut’

Kanë kaluar 5 ditë që pas ngjarjes tragjike ku mbeti e vrarë  21-vjeçarja Ariela Murat me një plumb në kokë nga Aldison Belulaj që e përndiqte prej kohësh. Kjo ngjarje shkaktoi jo pak reagime dhe deri tani pothuajse janë bërë të ditura shumë të dhëna, që tregojnë se përse ngjarja shkojë deri në atë pikë.

Së fundmi ka qenë babai i vajzës së ndjerë ai që ka folur për gazetën Panorama, ku ka treguar se familja e Aldisonit i kishte premtuar se vajzës nuk do i ndodhte asgjë dhe se ata i kanë prerë në besë.

“Ata erdhën këtu dhe ne i pritëm. Na thanë se djali e donte vajzën tonë. Por ne folëm në telefon me vajzën dhe ajo na tha se nuk e donte. Si mund të vepronim ne? T’i jepnim vajzën me dhunë? Na kërkuan që djalit të tij të mos i bënim keq për shqetësimet që i kishte sjellë vajzës. I premtuam që atij nuk do i ndodhte asgjë. Por, ama as Arielës nuk do i prekej asnjë fije floku. Ata na e premtuan. Por nuk e mbajtën premtimin. Na prenë në besë. Për këtë arsye nuk bëmë denoncim.”- ka deklaruar i ati i Arielës.

Ndër të tjera ai ka mohuar kategorikisht që vajza e tij dhe djali në fjalë të kenë qenë të lidhur dhe këtë gjë e mohojnë edhe banorët e fshatit.

“Kur Ariela filloi gjimnazin, Aldison Belulaj ishte në vit të tretë. Ajo ishte ende fëmijë. Më pas, ai shkoi në Vlorë të ndiqte studimet. Ndërsa Ariela, pasi përfundoi gjimnazin, filloi Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Vetëm një vit ata kanë qenë në të njëjtën shkollë. Edhe sikur të mblidhen të gjitha vitet, edhe në distancë, nuk mund të bëhen 4 vjet lidhje. Ky është vetëm një mashtrim i familjarëve të tij, apo edhe ata mund të jenë mashtruar nga djali dhe nuk dinë asgjë. Por e vërteta nuk është kjo. Ariela nuk ka qenë kurrë e lidhur.”- tregojnë banorët e fshatit.