Nga Shqipëria / E Mërkurë 19 Prill 2023, 15:03

Projekti gjigant: Korporata LIKA Holding AG pritet të ndërtojë hotelin prestigjoz Summit Davos

Një projekt gjigant nga LIKA Holding e udhëhequr nga pronari Esat Lika do të fillojë së shpejti të realizohet në njërin prej vendeve me ekskluzive në Zvicër, në qytetin e Davosit. Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm në ndërtim i Korporatës LIKA Holding AG në Zvicër në pronësi të shqiptarëve nga Kosova.

Mediat zvicerane raportuan se aty do të ndërtohet një hotel në vend të klinikës së famshme të Davosit që shërbeu si qendër kuruese për miliona pacientë që vinin në Davos për ta shëruar tuberkulozin – midis këtyre dhe tek klinika në fjalë. Në vend të pacientëve, shumë shpejt do të priten mysafirë në hotelin e ri luksoz.

“Në vend të pacientëve, shumë shpejt do të priten mysafirë në hotelin e ri luksoz. Në vitin 1906 klinika e famshme në Davos u ndërtua nga një kompani angleze. Klinika u përfundua në vitin 1911 dhe iu shit 11 vjet më vonë Kantonit te Thurgaut dhe Kantonit të Schaffhausen” thuhet në artikujt e mediave zvicerane.

Së bashku me investitorin LIKA Holding AG, qyteti i Davos ka organizuar një konkurs arkitekturor kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim që të krijohet një projekt i ri në harmoni me ndërtesën ekzistuese të klinikës. Në konkursin e arkitekturës që u zhvillua rezultoi fitues projekti që mundëson krijimin e apartamenteve luksoze, së bashku me hotelin.

Anëtari i parlamentit të qytetit të Davosit, Simi Valär shpjegoi se sfida kryesore ishte të kuptohet pritja e njerëzve sepse qyteti dëshironte ta ruante ndërtesën.

“Sfida kryesore është të kuptojmë pritshmëritë e njerëzve se çfarë duhet të ndodhë atje lartë, sepse kjo zonë ka një kuptim të veçantë për njerëzit e Davosit. Qëllimi i qytetit të Davosit ishte të këshillojë investitorët LIKA Holding AG në këtë rrugëtim dhe t’iu tregojë atyre se çfarë njerëzit e Davosit do të kishin dashur të kenë atje lartë” tha ai.

Drejtuesit e qytetit të Davosit u shprehën të lumtur që LIKA Holding ishte bashkëpunuese dhe i mirëpriti këshillat për të mos e shkatërruar ndërtesën  meqë nuk ishte një monument kulture i mbrojtur.

Investitori LIKA Holding AG në pronësi të Esat Likës do të ndërtojë kompleksin e ri në krah të ndërtesës ekzistuese në mënyrë sa më diskrete të jetë e mundur, që ndërtesat e reja të mos e mbulojë ndërtesën e vjetër.

Cengizhan Ari, CEO i Neue Haus AG, pjesë e LIKA Holding AG  tha se klinika ekzistuese do të shndërrohet në një hotel dinjitoz.

“Kemi bërë një konkurs tek hotelet më prestigjoze ndërkombëtare dhe kemi marrë përgjigje shumë të mira. Në verë duhet të fillojnë punimet e rikonstruksionit të klinikës së vjetër në një hotel, i cili do të hapë dyert e tij në vitin 2024” tha ai.

Ndërsa anëtari i Bordit të LIKA Holding AG, Ertion Axha ka thënë se është shumë i lumtur ta përfaqësojë kompaninë në këtë prezantim të projektit të Davosit për shkak të rëndësisë që ka ky qytet në botë.

“Ndër të tjera, Davosi është qendra e World Economic Forum si dhe vendodhja e disa prej pistave më të mira të skijimit në Alpet Zvicerane. Prandaj, në fakt, jemi shumë të lumtur që Qyteti i Davosit dhe specifikisht Anëtari i parlamentit të qytetit të Davosit, Simi Valär, kanë pranuar të bashkëpunojnë kaq ngushtë me ne dhe na kanë lejuar ta zhvillojmë këtë projekt monumental”, tha ai.

Sipas tij, është privilegj i madh për LIKA Holding AG të kontribuoj në këtë projekt prestigjioz në Zvicër.

“Ne i jemi shumë falenderues Zvicrës për të gjitha mundesitë që na i ka dhënë, të arrijmë këtë sukses e të kemi mundësi t’i trashëgojmë asaj një projekt të tillë si në Davos. Korporata LIKA Holding AG, përgjatë përvojës 11 vjeçare, ka zhvilluar 79 projekte në cilat zvillohen dhe ndërtohen 215 objekte të çdo lloj tipi, duke përfshirë prej apartamenteve, për të vazhduar më tej tek zyrat, hotelet dhe monumententet kulturore të ndryshme. Edhe pse jemi vetëm 11 vjet në tregun e Zvicrës, ne kemi arritur të kemi në pronësi prona dhe projekte të tilla si ky projekt në Davos. Ne punojmë në shumicën e kantoneve të Zvicrës, duke përfshirë Zürich, Zug, Luzerne, Basel, St. Gallen, Graubünden, Tessin, Aargau, Geneva, e të tjerë” tha ai.