Ngjashmëria e binjakëve mund të përkthehet në argëtim për ta dhe në një ‘torturë’ për personat rreth tyre. Sara dhe Sada, binjaket e ftuara në “Shije Shtëpie” në Tv Klan provojnë pikërisht lidhjen e fortë mes tyre dhe ndihma nga ngjashmëria ka sjellë situata gazmore për to. Që prej fëmijërisë, kanë sajuar ‘rrengje’ për të ngatërruar të tjerët dhe janë shumë të pakta rastet kur kanë dështuar.
Sada: Rrengjet kanë nisur që nga fëmijëria kur ishim në shkollë dhe unë mësoja shumë në lëndët shoqërore ndërsa Sara në lëndët shkencore dhe kur kishim për t’u përgjigjur në mësim ndërroheshim me njëra-tjetrën dhe zyshat asnjëherë nuk e kuptonin sepse kur ishim më të vogla kishim një ngjashmëri akoma më të madhe se sa tani. Pastaj ka patur raste që unë kam qenë shumë e lodhur në punë dhe kërkoj ndjesë për këtë që do të them…Klientët më kanë parë me çudi të madhe duke e ditur profesionalizmin e Sadës, jam ngatërruar në matje, kanë ndodhur edhe këto. Na kanë ndodhur shumë rrengje, na ka ndodhur edhe kur kemi ikur me pushime që po iknim jashtë Shqipërisë me pushime dhe vendosëm që të ndërronim pasaportat për të parë nëse punonjësi i sigurisë do ta kuptonte…Dhe e fundit fare që ishte një gafë shumë e madhe ishte që Sada atë ditë kishte një takim pune shumë të rëndësishëm por duhej të merrte pasaportën. Unë iki te zyra, shpresoj mos të më fusin në burg për këtë… Jo, është diçka shumë e thjeshtë, nuk e tërhoqa dot gjithsesi…Nuk ma dhanë normalisht, mendova se nuk do dalloheshim.

Një nga konkluzionet e studiuesve lidhur me binjakët është dhe telepatia midis tyre për mendimet, ndjesitë, gjendjen fizike dhe shpirtërore. Binjaket Sada dhe Sara tregojnë një rast konkret që iu ka ndodhur në moshën 12-vjeçare.
Sara ndodhej në shkollë ndërsa Sada në shtëpi duke përjetuar simptomat e apandesitit. Këto të fundit i ndiente edhe Sara e cila shkoi menjëherë te e motra dhe i shpëtoi jetën.
Sara: Njëherë një rast i shkurtër ishte kur ishim në klasën e shtatë dhe Sada qëndroi në shtëpi se ishte shumë sëmurë dhe unë isha në shkollë. Në ato momente, isha në orarin e mësimit dhe kisha marrje fryme, nuk po ndihesha mirë, kisha një lloj ndjesie dhe duke e ditur që isha vetëm 12 vjeç, minorene, normalisht ishte periudha kur na merrnin prindërit nga shkolla, unë vendos të iki nga shkolla pa lejen e mësuesit dhe iki në shtëpi dhe gjej Sadën të shtrirë. Sada ishte sëmurë me apandesitin dhe u operua. Pra rasti ishte që unë e ndjeva që Sada ishte sëmurë dhe lashë orën e mësimit për të shkuar në shtëpi…

