Sezoni 2 i serialit “H.O.T” na rezervon shumë surpriza. Dani, Ermal Mamaqi, mëson se ka një vëlla dhe rolin e tij e luan Joeli, i biri. Vetëm së fundmi në faqen zyrtare të serialit “H.O.T” është publikuar një foto e Joelit me mbishkrimin “Ylli jonë i vogël”.

Mësohet se ai do të jetë njëri ndër protagonistët e serialit me një rol shumë të madh dhe me peshë në dinamikën e ngjarjeve. Joeli ka dëshmuar se ka talent që në filmin “I love Tropoja”, por ky projekt shënon projektin e tij të parë në një rol protagonist. Bjordi Mezini ka publikuar gjithashtu një foto nga xhirimet ku Joeli shihet krah Ermalit.

Këtë vit seriali “H.O.T” vjen sërish nën autorësinë e Klaudia Brahimaj, me regji të Bjordi Mezinit dhe bashkëproducent Ermal Mamaqi dhe Dritan Huqi.
“H.O.T” arriti të mblidhte të gjithë shqiptarët para ekranit çdo të diel. Që me episodin e pare theu rekord duke arritur miliona shikime në Youtube (1.6 milion vetëm episodi parë) dhe vazhdoi të thyente vazhdimisht duke u bërë një nga serialet më të ndjekur. Sezoni i parë përfundoi në një pjesë kulminante, prandaj që të gjithë shikuesit prej asokohe po presin me padurim nisjen e sezonit të dytë.


