Sipas të dhënave të fundit të ardhura nga një njësi kërkimore me qendër në SHBA e quajtur Pew Reserarch Center në bazë të disa hartave që ka hartuar ku pasqyrohen remitancat për vitin 2016 ka treguar dhe se sa janë fondet që emigrantët shqiptar sjellin në Shqipëri.

Sipas këtyre raporteve kanë qenë pothuajse 1 miliard euro remitanca që kanë ardhur në Shqipëri gjatë vitit 2016 nga emigrantët shqiptar që punojnë në vende të ndryshme të botës.
Ky raport sqaron se me remitanca duhet të kuptojmë të gjitha fondet ose asetet që emigrantët dërgojnë vazhdimisht në shtëpitë e tyre në Shqipëri. I gjithë ky raport është i bazuar në raportet që kanë marrë nga Banka Botërore ku përfshihen të gjitha shumat e lekëve që janë dërguar nëpërmjet bankave apo edhe bizneseve të tjera që transferojnë para.

Në bazë të të dhënave vendi nga i cili ne marrim më shumë remitanca është Greqia, vendi me numrin më të madh të emigrantëve shqiptar, që dërgon diku te 463 milion dollar. Në vend të dytë është një tjetër shtet fqinj, Italia, me 382 milionë dollarë. Në të dy shtetet vlerësohet se jetojnë e punojnë mbi 1 milionë emigrantë. Nga këto dy vende kanë ardhur mbi 80% e remitancave në total.

Në vend të tretë janë Shtetet e Bashkuara me 77 milionë dollarë dhe më pas renditet Gjermania me 37 milionë dollarë.
Nga dy vendet fqinje, Maqedoni dhe Mal i Zi vijnë përkatësisht 19 dhe 15 milionë dollarë. Nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja emigrantët sjellin përkatësisht 14 dhe 11 milionë dollarë.
