Ditën e djeshme u raportua se stilisti i njohur nga Kosova, Valdrin Sahiti ishte arrestuar në Turqi, pasi iu gjend një sasi droge. Mirëpo avokati i stilistit i ka hedhur poshtë këto akuza në një prononcim për "Telegrafin".

Avokati ka treguar se stilisti nuk ndodhet në Turqi, por në Dubai ku po vazhdon me biznesin e tij. Më tej ai ka sqaruar se ka pasur vetëm një ngatërresë të vogël sa i përket një çante, të cilën Valdrini e ka harruar në aeroport.

“Nuk janë të vërteta lajmet që kanë qarkulluar për Valdrinin sot. Ndaj tij nuk është inicuar asnjë precedent penal dhe nuk është ndaluar nga autoritetet turke. Ai ndodhet në Dubai, ku po vazhdon aktivitetet e tij biznesore. Valdrini ka pasur një çantë dore të cilën e ka harruar në aeroport dhe gjatë udhëtimit të tij i ka rënë ndër mend dhe e ka kërkuar çantën që ta marrë mbrapsht. Sigurisht që stafi i aeroportit e kanë konfirmuar që çanta është e tij dhe ia kanë dërguar më pas mbrapa”, ka shtuar avokati i tij.


