Një video promovuese e Shqipërisë është bërë shumë virale në rrjetet sociale, ku shumë personalitete të njohur e kanë shpërndarë atë për të tregua pamjet e bukura të vendit tonë. Video është shpërndarë së pari nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe mund të themi se është parë më shumë se 9 mijë herë dhe shpërndarë akoma më shumë.

Ministri Blendi Klosi ka shkruar pranë videos se duhet të shpërndarë akoma më shumë, për të parë bukuritë që e rrethojnë Shqipërinë.

"Jehoje edhe ti, në profilin tënd! Me këtë video çdokush mund të përjetojë Shqipërinë e Alpeve, Adriatikut, Jonit, kështjellave, veshjeve karakteristike, vendeve të paeksploruara, njerëzve mikpritës, ashtu si një revistë prestigjoze europiane, e përshkuan: “Njerëz të etur për të ndarë dashurinë e vendit të tyre dhe gjithmonë të gatshëm për të ardhur në ndihmë” Shqipëria meriton vëmendje! Turistët meritojnë Shqipërinë", shkruan Klosi.
Në këtë video të shkurtër shfaqen gjithë mrekullitë që e rrethojnë Shqipërinë, duke filluar që nga Alpet, kështjellat, lumenjtë, bregdeti e deri tek mirëpritja e shqiptarëve dhe kërcimet tona tradicionale.

Motoja e kësaj videoje është shprehja “Shqipëri! Ndiq udhën tënde” që i fton të gjithë turistët të vizitojnë vendin tonë dhe të zbulojnë mrekullitë që natyra fshehë.

Gjithashtu Blendi Klosi u kërkoi dhe të gjithë të pranishmëve në eventin ‘Oda’ që ta shpërndanin këtë video, që vlerat kulturore dhe bukuritë e vendit tonë të shiheshin në të gjithë botën.




