Nga Shqipëria / E Hënë 27 Shkurt 2023, 22:10

Aktori shqiptar bën rrëfimin tronditës, mjekët e diagnostikuan gabimisht me tumor

Aktori Aleks Seitaj ka rrëfyer një prej momenteve më të vështira të jetës së tij, ndërsa ishte i ftuar në emisionin S’e Luan Topi” në Top Channel. Gjatë pandemisë, artisti thotë se pas disa ekzaminimeve mjekët i kishin thënë se kishte tumor, i cili më pas kishte rezultuar i pavërtetë pas analizave më të specializuara.

Por gjithë kjo situatë e keqe për të i kishte shkaktuar ankth dhe atak paniku.

“Mamaja e Xhesit (i referohet këngëtares Xhesika Polo) u nda nga jeta për shkak të tumorit. Disa muaj më vonë, ishte momenti kur po bëhej i gjithë kaosi i koronavirusit, unë kisha temperaturë dhe ishte e vështirë të gjeje një vend ku të kontrolloheshe në atë periudhë. E gjeta vendin, nuk ekzistonin teste dhe e vetmja mënyrë që të më jepnin antibiotikë ishte të më bënin një grafi se mos ishte COVID. Në grafi doli diçka që nuk shkonte, më pas shkuan te skaneri dhe gjatë gjithë kësaj periudhe më thanë shiko se gjëndrat e tua limfatike janë disi si të zmadhuara dhe ne dyshojmë për praninë e një tumori.

Duke ardhur nga ndodhia para dy muajsh, nuk do ta zbukuroj, ishte momenti që pashë vdekjen afër. Deri në atë pikë unë në mendjen time isha i pathyeshëm. Kam thënë që nuk ka gjë që më hedh mua përtokë. Ishte e frikshme, ishte vërtet e frikshme. Pas dy javësh testesh e skanerash, të mos flasim për lekët sa janë derdhur, mua më vjen lajmi se nuk ke tumor. Gjatë asaj jave nuk kam fjetur. Sigurisht diçka brenda meje u thye dhe për herë të parë fillova të kisha çrregullime ankthi, atake paniku. Mendon se po kalon infarkt dhe do vdes. Kam frikë nga vdekja, vazhdoj të kem frikë, por nuk kam frikë të jetoj. Unë postoja një skeç çdo mëngjes nga e hëna në të diel", tregoi Aleksi.