Tre skiftera të tjerë kanë rënë në dorën e policisë italiane ditën e djeshme. Shqiptarët kishin si rregull që të grabisnin vetëm natën dhe u kapën nga autoritetet blu në një lagje ku kishin vjedhur 3 banesa.

Bëhet fjalë për tre persona të moshës 22 deri në 35 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Sipas policisë italiane ata kishin tentuar të largoheshin kur kishin parë karabinierët por janë kapur në momentin që po kalonin disa ngushtica, pasi nuk ishin në dijeni të postoblloqjeve të ngritura.

Pas kontrollit të policisë shqiptarëve u janë gjetur bizhuteri ari, kuleta, çanta të firmave të shtrenjta, ora, rroba të firmave më të njohura, stilografë e pena të koleksionuara dhe mjete të tjera si kaçavida e thika, të cilat i përdornin për të hapur dyert e banesave.

Bëhet me dije se të gjitha sendet e vjedhura u janë kthyer të zotëve dhe tre shqiptarët janë në pritje të gjyqit të tyre.

