Nga Shqipëria / E Hënë 15 Janar 2018, 14:02

Pse shqiptarët rrinë në kafene? Ish-ambasadori amerikan jep përgjigje për këtë fenomen

Një nga temat më të diskutuara në Shqipëri është fakti se përse shqiptarët rrinë me orë të tëra në kafene.Të rinjtë e të vjetër pavarësisht moshës pëlqejnë që problemet, lajmet e hallet e tyre ti diskutojnë në nëpër kafene, dhe ky është një fenomen që është vënë re jo vetëm nga vendasit por edhe nga të huajt.

Njëri ndër tyre është edhe ish-ambasadori amerikanë John Withers, i cili në një letër të dërguar Departamentit të Shtetit në kohën kur ishte në detyrë në Shqipëri, ai kishte shpjeguar edhe arsyen se përse populli shqiptar qëndron në kafene.

Këto janë disa kabllogram të zbuluar nga Wikileaks, ku ish-ambasadori i kishte dërguar  mes shkurtit dhe marsit  në vitin 2008.

“Institucioni që punon më mirë në Shqipëri është i vetmi vend publik që mund të gjesh: Kafeneja. Shqiptarët i diskutojnë problemet e tyre në kafene, përfshirë këtu politikanë që diskutojë iniciativa publike, zyrtarë që diskutojnë politika të ndryshme dhe studentë që diskutojnë provimet ose modën"-kishte shkruar ai.

Në atë kohë Ambasada Amerikane kishte shprehur shumë interes për sa i përket mënyrës së jetesës së shqiptarëve dhe mes fjalëve të tjera Xhon Wihers ka treguar se për shqiptarët dinamika e marrëdhënieve personale është shumë e fortë.

“Që gjatë periudhës komuniste, ku ti ishe gjithmonë në kërkim të një miku që të të gjente pak më shumë mish apo qumësht, dinamika e marrëdhënieve personale është shumë e fortë dhe kërkon shumë kohë e energji. Ato ndikojnë në vendimet e njerëzve. Në këtë mënyrë kafenetë janë institucioni ku mund të ankohesh, të zgjidhësh problemet apo të argëtohesh në Shqipëri. Pra, kur të shihni shqiptarë të ulur në kafene, mos mendoni se është humbje kohe. Është një institucion social multifunksional për një vend në tranzicion”-ka përfunduar ai