
Ermal Mamaqi ka njoftuar se po punon për të sjellë së shpejti “Dy gisht mjaltë 2”, një film i shumëpritur nga publiku që pas suksesit të “Dy gisht mjaltë” dhe “I love Tropoja”, të cilat thyen rekorde në shitje biletash. Ndërkohë prodhimet shqiptare kanë ardhur në rritje, njerëzit janë rikthyer në kinema dhe teksa jemi në pritje të "2 gisht mjaltë 2", xing.al ju sjell në këtë artikull këto 7 filma shqiptar që kanë korrur sukses muajt e fundit.
Filmi shqiptar i regjisorit Aldo Marko, “Policë për kokë”, është një film aksion-komedi me nota perëndimore, dinamik dhe me shumë batuta.
Përmbajtja: Xhino Pasmaçiun (Olsi Bylyku) është një polic i thjeshtë trafiku që në jetë ka dy qëllime: të nderojë kujtimin e babait të tij të ndjerë, dhe të fle më në fund me të dashurën e tij lozonjare, Minën (Sara Kolami). Jeta e Xhinos do të kthehet përmbys kur ai e gjen veten papritur në mes të një hetimi policor shumë të rëndësishëm dhe… të rrezikshëm! Së bashku me detektivin legjendar Maksimilian Murati (Nik Xhelilaj), ata do të kalojnë një aventurë plot të papritura, në 48 orët më të paparashikueshme në botë. “Dy policë... Një Mision… Ata nuk janë shokë… ata janë Policë për Kokë!”
Filmi “Sofia” i regjisorit Eduart Grishaj, vjen nën interpretimin e të madhes Tinka Kurti, si dhe të aktorëve Adem Karaga, Rita Gjeka, Çun Lajçi e Alfred Trebicka.
Ngjarje që vendosen sa nga e kaluara në të tashmen, që nga Lufta e Dytë Botërore, teksa një grua shqiptare në moshë nga veriu i Shqipërisë mirëpret në shtëpi një të plagosur, ushtar jugosllav, që po kthehej nga luftimet, i cili qëllon të jetë edhe vrasësi i birit të saj; e deri tek vizita që mbesa e komandantit të plagosur, bën në Shqipëri vite më vonë. Regjisori Grishaj është shprehur se filmi vjen i bazuar ne nje histori te vërtetë dhe është frymëzuar nga At Zef Pllumi.
“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një film nga regjisor Fatmir Koçi dhe producentë Dritan Huqin e Fatmir Koçin, e me aktorë Aleks Seitaj, Amos Muji Zaharia, Kastriot Çaushi etj.
Përmbajtja: Institucioni i lartë i censurës në Shqipëri i viteve 1970 - shoku Zylo është një burokrat gjenial. Ai urdhëron shkrimtarin e talentuar Demka të hartojë një fjalim mbi çështjet ideologjike. Demka kupton që është bërë skllav i një mjeshtri të propagandës Makiaveliste te eprorit te tij. Në këtë botë absurde Demka bie në dashuri me gruan e Zylos, Adila.
“Dashuri dhe Turbulenca” nga regjisor Dionis Papadhimitri ka në qendër jetën e Bernardit, luajtur nga aktori Amos Muji Zaharia, i cili është i fejuar me tri stjuardesa, Alesia Xhemalaj, Olimpia Smajlaj dhe Sara Kolami, të cilat nuk e dinë ekzistencën e njëra-tjetrës. Gjithë konflikti dhe humori ndërtohet në momentin kur shfaqet shoku i vjetër i Bernardit, Gentian Zenelaj, që së bashku me shërbëtoren e shtëpisë, Rudina Dembacaj, përfshihen në një situatë të komplikuar, pasi të treja të fejuarat ndodhen në qytet, njëkohësisht.
Filmi ”Legjenda e bastunit“ e regjisorit Xhoslin Rama trajton historinë e një djali, jeta e të cilit ndryshon përgjithmonë kur në Shqipërinë e pasluftës në pushtet vjen komunizmi, duke ia vrarë e persekutuar njerëzit e tij më të dashur. Dy aktorët kryesorë të këtij filmi Ndriçim Xhepa dhe Amos Zaharia janë shprehur se historia e filmit është e ngjashme me historinë e shumë familjeve në Shkodër.
“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, garon këtë vit në Oscars midis filmave të shteteve të tjera në kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”.
Përmbajtja: Në Tiranën e ditëve të sotme, dy djem në të tridhjetat, Agimi dhe Gëzimi, vëllezër binjakë të cilët nuk mund të dëgjojnë, mësojnë se një ditë do të mbeten të verbër. Në rolet kryesore janë dy aktorët e njohur portugezë Edgar Morais dhe Rafael Morais. Filmi sjell dhe debutimin e aktores shqiptare Drita Kabashi.
“Nji prej nesh”, një film nga Ergys Meta ku luajnë aktorët Alban Ukaj, Kasem Hoxha, Alfred Trebicka, Enkel Gurakuqi, Sebina Matlija.
Përmbajtja: Një ish-ushtar vullnetar i luftës së Kosovës i rikthyer në Shqipëri për të vazhduar një karrierë policore në një Tiranë kaotike dhe të korruptuar, zgjidh një krim të bërë vetë nga ai./xing.al