Nga Shqipëria / E Enjte 11 Janar 2018, 16:04

18-vjeçarja ngel në rrugë me dy fëmijët, rrëfen ‘live’ dhunën nga bashkëshorti dhe vjehrra

Një 18-vjeçare nënë e dy vajzave ka qenë sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’, ku ka treguar historinë e saj plotë vuajtje, varfëri dhe dhunë nga bashkëshorti dhe familjarët e tij.

Shpresa nga Kamza ka treguar që prej kohësh bashkëshorti i saj e ka braktisur atë dhe dy vajzat e tyre dhe është larguar për në Gjermani, ku dhe ka treguar se nuk do të ketë më lidhje me ish partneren dhe vajzat.

Ajo ka rrëfyer që me Elton Xheladinin është dashuruar që në moshën 15 vjeçare dhe kanë filluar që të bashkëjetojnë, nga kjo bashkëjetesë ka ardhur në jetë vajza e tyre e parë që tashmë është 2 vjeçe dhe më pas Shpresa ka ngelur shtatzënë  me një fëmijë tjetër. Ka qenë ky moment që Eltoni është larguar dhe e ka braktisur atë.

Shpresa Muça lindi kështu e vetme vajzën ndërsa Eltoni nuk i dha atësinë. Më pas ajo  u detyrua kështu të lerë fëmijët tek ish kunati i saj.

Por pas kësaj nuk kishte qetësi për 18-vjeçare e cila u denoncua nga ish kunati i saj se kishte braktisur vajzat tek ai.

Ajo ka kërkuar ndihëm në emisionin 'Me zemër të hapur' pasi ka ngelur mes rrugëve me dy vogëlushet e saj.

"Kam kaluar një fëmijëri të vështirë. Kam pasur tre vëllezër, por njëri më ka vdekur. Doja të vazhdoja shkollën, por vëllezërit nuk më lanë, pasi kishin frikë mos më ngacmonin. U njoha me Eltonin dhe më pas dolëm më vete për të nisur një jetë të re bashkë. Ai pasi ngela shtatzënë për herë të dytë më braktisi. Ka ikur në Gjermani dhe nuk do t’ja dijë më për ne. 3 vjet e gjysmë bashkëjetova. Çdo ditë vetëm sherre. Debatet e para nisën gati pas një jave bashkëjetese. Por pas 9 muajsh mbeta shtatzënë dhe s’ndahesha dot. Gjatë shtatzënisë kisha probleme, por Eltonin se kisha aty. Ai donte veç qejf, dilte me shoqërinë. Kur thoja që vajza është sëmurë, ai edhe më dhunonte. Kam qenë 7 muajshe shtatzënë kur më ka dhunuar Eltoni dhe vjehrra ime. Kam ikur tek babai im. Kur më braktisi isha në punë. Në një shoqatë. Më pas në punë më detyronin në punë që të fikja telefonin, kjo sillte dhe debate. Ai flinte deri në 15:00 dhe dilte për kafe. Kur i thash që; ‘vajza nuk ka bukë të hajë’ ai nisi të më rrihte.” - ka treguar ajo.

Ndërkohë nuk ka munguar as reagimi i ish bashkëshortit i cili nëpërmjet një telefonate është shprehur se:”  Një nga pyetjet e para duhet të më përgjigjet; se nga kush është dhunuar? Se jetën time ajo i ka ditur të gjitha. i vetmi muaj, tani, që ajo nuk ka marrë para nga unë. Muajt e tjera i kam dërguar lekë. Për çdo muaj kam sjell aq sa kam pasur mundësi. Nuk kam punë. Fëmijëve nuk i kanë munguar asgjë”.