Megjithëse supozohet të jetë 'koha më e mrekullueshme e vitit', shumë prej nesh e konsiderojnë Krishtlindjen të vështirë për shëndetin tonë mendor. Në fakt, një e katërta e popullsisë i sheh Krishtlindjet më sfiduese se pjesa tjetër e vitit, ndërsa rreth një në katër prej nesh kanë luftuar me ankthin ose depresionin gjatë sezonit festiv, sipas një sondazhi. Dhe kjo pa marrë parasysh stresin dhe ankthin që u shtua gjatë pandemisë. "Kjo kohë e vitit mund të jetë dërrmuese", thotë psikoterapisti Ruairí Steëart. “Periudha e Krishtlindjeve vjen me pritshmërinë që ne duhet të jemi të lumtur, të mos shqetësohemi shumë, të gëzuar, të kalojmë kohë me miqtë dhe familjen, por për shumë, kjo periudhë sjell nivelet maksimale të stresit."

Terapisti shpjegon se është normale të ndihesh i lodhur, i trishtuar dhe i shkëputur nga të tjerët në këtë kohë të vitit.
Ja këshillat e tij kryesore nëse keni vështirësi në këtë periudhë të vitit:
Lehtësoni shqetësimet financiare duke shpenzuar brenda mundësive tuaja - Komunikoni me ata që ju rrethojnë dhe shprehuni se edhe pse do t'i blinit botën nëse do të mundeshit, këtë vit do të duhet të kurseni. Largoni çdo ndjenjë faji ose turpi dhe mbani mend, shumica e njerëzve ndoshta po ndjejnë saktësisht të njëjtën gjë dhe mund të lehtësohen.

Bëni një plan veprimi - Përpiquni t'i kryeni blerjet tuaja sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë e dimë se lënia e gjërave në minutën e fundit shkakton stres të panevojshëm, ndaj bëjini një nder vetes suaj dhe organizohuni herët!
Hiqni dorë nga pritshmëritë jorealiste - Nëse ky vit na ka mësuar diçka, është të përqendrohemi në atë që është vërtet e rëndësishme në jetën tonë. Mund të mos jetë e mundur të organizoni të gjithë familjen në ditën e Krishtlindjes, ose të organizoni festën tuaj vjetore, por përpiquni të mos përqendroheni në atë që nuk mund të bëni dhe të përqendroheni në gjërat që mundeni. Lidhuni me njerëzit përreth jush, vendosni disa dekorime shtesë në shtëpi, provoni një recetë të re! Pranoni që ky vit mund të duket pak më ndryshe.

Programoni kohë për vetëkujdesje - Dhjetori shënon fundin e një viti sfidues dhe konfuz, kështu që mund të keni nevojë për pak kohë për t'u kujdesur për veten gjatë pushimeve tuaja të Krishtlindjeve - lërini vetes kohë për t'u çlodhur dhe për t'u qetësuar. Komunikojuni njerëzve afër jush se ajo që ju duhet vërtet është pak hapësirë për të marrë frymë për të rikuperuar.
Lidhu me të tjerët - Nëse ndiheni të izoluar, ndoshta jetoni vetëm– qëndroni të lidhur me miqtë dhe familjen. Kjo është për të mirën tuaj po aq sa edhe të tjerët, kështu që drejtojuni atyre që e dini se Krishtlindjet do ta kenë të vështirë ose do ta kalojnë këtë kohë vetëm. Ju madje mund të dilni vullnetarë me organizata për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Mos kini frikë të kërkoni ndihmë - Nëse ndiheni të mbingarkuar, kërkoni nga një mik ose një person të dashur që t'ju ndihmojë me disa nga përgjegjësitë tuaja. Ju nuk duhet të merrni gjithçka mbi veten tuaj - është e rëndësishme të ndiheni të mbështetur, por do t'ju duhet ta kërkoni këtë mbështetje për ta marrë atë, nuk është turp të kërkoni ndihmë, në fakt është një shenjë force.
Burimi: Glamour Magazine. Përshtati: xing.al
