Klipi përmbledhës në “Dance Albania” në Tv Klan i Adelina Tahirit shoqërohet nga komentet e vazhdueshme të Cindy Marinës për të. Tashmë po afron finalja, gara është bërë më e fortë dhe kanë nisur përplasjet midis konkurrenteve. Adelina ka zgjedhur që t’i përgjigjet me replika të forta modeles.
“Konkurrenti që shoh më larg finales është Adelina”, është shprehur Cindy.
Adelina Tahiri: Unë e kuptoj shumë mirë Cindy-n sepse po vjen finalja dhe unë e di që askush nuk do një konkurrent të fortë afër vetes, sidomos një konkurrent si Adelina.

“Ndoshta ajo që mund ta penalizojë është fakti që nuk kam parë shumë variacione në kërcim, ndoshta nëse pashë një damarcrazy në padjeshkë”, vijon Cindy.
Adelina Tahiri: Kam dëgjuar edhe nga Cindy që jam një nga konkurrentet më të forta, por tani ndryshoi mendje. Unë nuk kam ndryshuar mendje. Është akrobate shumë e mirë por skena është për të vallëzuar, jo për të ndenjur në ajër. Të bësh lift ose të bësh padjeshkë sigurisht që unë e vlerësoj dhe është një gjë shumë e mirë, por ai nuk është realisht vallëzim. Vallëzim është kur ti bën hapat bazë dhe e kam vërejtur që Cindy zakonisht i ikën vallëzimeve që kanë më shumë hapa sepse e kam parë që në vallëzime të tilla është jashtë ritmit dhe hapat bazë nuk i ka mirë dhe ka gjetur mënyrën më të mirë për të lënë përshtypje të mëdha te publiku. Por ato që dinë saktë, e dinë që vallëzimi është gjithnjë në pistë. Këtu nuk jemi në cirk, jemi në “Dance Albania”.
‘Beteja’ midis Adelina Tahirit dhe Cindy Marinës nuk përfundoi në klipin përmbledhës, por vijoi në skenën e “Dance Albania” në Tv Klan. Cindy iu kundërpërgjigj përballë Adelina Tahirit duke sqaruar se nuk e sheh si konkurrente të fortë për në finale, në gjykimin e saj objektiv, pasi në aspektin personal e vlerëson maksimalisht. Nga ana tjetër, Adelina i thotë se ajo vijon ta vlerësojë Cindy-n e madje e fton edhe në një ‘duel’ improvizimi.

Cindy Marina: Zakonisht unë nuk prekem fare nga komentet që bëhen nëpër filma dhe në fakt mund të prisja më shumë përgjigje nga Adelina javën e kalaur kur u tha në film, megjithatë nuk ka problem se mund të përgjigjem edhe sonte. Unë patjetër që Adelinën nga ana personale e vlerësoj maksimalisht dhe mendoj q ë ajo mund ta dijë shumë mirë sepse kemi kaluar shumë mirë bashkë gjithë këto javë. Por kur më pyet mua kush nuk do shkojë në finale, ndoshta Adelina kishte përshtypjen se është konkurrente e fortë dhe të gjithë këtu i shoh si konkurrente shumë të forta, por unë nga këndvështrimi im e bëra atë zgjedhje në mënyrë shumë objektive, në bazë të të gjitha performancave që kam parë unë sepse nëse do e mbaja në anën personale, do e kisha të pamundur të zgjidhja sepse të gjitha vajzat i kam shumë xhan këtu. Kështu që ajo ishte një zgjedhje nga ana ime.
Alketa Vejsiu: Ti nuk e çon Adelinën në finale me zgjedhjen tënde?
Cindy Marina: Po. Mund ta mbaroj deri në fund se kam pak për të thënë. Në një mënyrë shumë objektive, në bazë të gjithë performancave që kam parë sepse mendoj që të tjerët kanë pasur një nivel shumë më të lartë në të gjitha performancat që kanë bërë. Megjithatë, dua të komentoj edhe komentin për cirk sepse unë këtu nuk kam shpikur padjeshka, të gjithë e dimë që në kërcim ka edhe rrotullime, edhe thyerje, edhe padjeshka. Unë i kam bërë të gjitha hapat bazë dhe përveç kësaj, jam e vetmja konkurrente këtu që ka tentuar dhe ka ekzekutuar të gjitha padjeshkat më së miri dhe jam e vetmja që kam tentuar të bëjnë kaq shumë sepse padjeshka nuk është e lehtë.
Adelina Tahiri: Unë të përgëzoj, unë në asnjë mënyrë nuk e kam ulur punën dhe mundin tënd, përkundrazi, e vlerësoj shumë dhe unë asnjëherë nuk kam qenë kontradiktore me vetveten në atë çfarë kam thënë me ty nga fillimi, unë atë e mendoj akoma. Unë nuk do flas shumë sepse arritjet e mia në jetë i kam bërë me shumë punë dhe unë punoj nga mosha 14-vjeçare. Unë nuk dua të flas, skena është për ne, urdhëro, na nis produksioni një këngë dhe unë e ti dalim përballë njëra-tjetrës, improvizim.
Juria e publiku entuziazmohen për t’i parë vajzat të ‘ndeshen’ në një kërcim të lirë, por Cindy refuzon të marrë pjesë.
Cindy Marina: Mendoj që këto fjalë janë të tepërta sepse këtu e kam treguar javë pas jave që jam shumë lart në atë që bëj unë dhe nga vlerësimi i jurisë është vërtetuar. Unë mendoj që nuk duhet të dal në sfidë me askënd që ma tregon mua se e kam treguar javë pas jave, por unë s’kam frikë sfidat, këtu kemi ardhur për sfidë dhe mbetet për të parë.
