Një nga problematikat më të diskutuara që lidhet me arsimin ka qenë mbingarkesa e lëndëve mësimore për nxënësit si dhe çanta e shpinës, e cila nga pesha e rëndë shkaktonte shumë lodhje tek fëmijët.

Por së fundmi kjo problematik ka bërë bashkë prindërit dhe mësuesit të cilët kanë hartuar një program të ri mësimor, i cili parashikon që së shpejti fëmijët të bëjnë vetëm tre lëndë mësimore në gjashtë orë.

Ky propozim ka marrë miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe mendohet të vihet në zbatim së shpejti.
Sipas mësuesve në 45 minuta nxënësit nuk i mjafton që të marrë ashtu siç duhet mësimin prandaj nëse zbatohet program i ri, ata do kenë mundësi të marrin më shumë njohuri në një lëndë dhe ora do të zhvillohet në mënyrë të organizuar.

“Koha 45 minuta nuk mjaftonte, platforma 3 lëndë në 6 orë e shoh si risi. Kjo do të ketë ndikim pozitiv pasi mendoj se do të ketë rezultatet më të mira tek fëmijët, ora do të jetë më e organizuar” janë shprehur mësuesit.

Ky program do të zbatohet tek nxënësit e shkollave 9 vjeçare si dhe nxënësit e viteve të para dhe të dyta, do të kenë vetëm 3 lëndë, duke ua lehtësuar jo vetëm ngarkesën mësimore brenda një dite por edhe barrën e madhe që kishin çantat për fëmijët.

Ministria e arsimit ka lajmëruar se ky program do të nisë në të gjitha shkollat në datën 1 shkurt. “Na e keni bërë shumë të qartë dhe në bazë të propozimit tuaj. Që sot do të dalë urdhri i ministrit dhe në 1 shkurt projekti juaj bëhet agjenda e çdo shkollë.” është shprehur Lindita Nikolla.
