Prej shumë vitesh Italia ka qenë një nga destinacionet më kryesore ku emigrantët shqiptar zgjedhin për të vazhduar jetesën e tyre. Para viteve’90 mundësia e vetme e shqiptarëve për të shkuar atje ishte nëpërmjet gomoneve. Por sot ndryshe nga disa vite më parë, vendi jonë është kthyer në një destinacion ku shumë italian zgjedhin për të studiuar, punuar dhe jetuar.

Për këtë arsye gazeta e njohur italiane 'L’Espresso', ka shkruar një artikull dedikuar Shqipërisë. Me titullin “Ciao mamma, vado in Albania” (Mirupafshim nënë, po shkoj në Shqipëri) e ka nisur shkrimin e tij gazetari i njohur Roberto di Caro, ku në brendësi të artikullit tregon dhe historinë e disa prej italianëve që kanë zgjedhur Shqipërinë si shtetin ku do vazhdojnë jetën e tyre.

“E keni parasysh shqiptarin që ëndërron Italinë dhe rriskon me gomone për të arritur në tokën e mijëra mundësive, plot dritë në televizionet tona? Ndryshe nga vitet ’90 sot Shqipëria është vendi i mundësive…” ka shkruar ai.

Gjithashtu në artikull është përshkruar edhe zhvillimi i madh që vendi jonë ka pësuar vitet e fundit dhe arsyet se pse shumë qytetar të huaj e zgjedhin këtë vend, jo vetëm për të jetuar, por edhe për të vizituar.
“Për thithur investime, në këtë vend ku 60 për qind e eksporteve përfundon në Itali, rol luajnë edhe qarqet e shkurtra të globalizimit, të njëjta për të cilën në Venedik, kioska kineze shesin maska kineze për turistët kinezë të prodhuar në Kinë. Por në ndryhim nga kjo, në Tiranë, si në bregdetin e Vlorës dhe të Durrësit, kirurgët dhe stomatologët italianë riparojnë dhëmbët, gjinjtë dhe hundët për pacientët italianë në lëvizje, në klinika italiane ose në ndërmarrje të përbashkëta: turizëm mjekësor, çmime atraktive dhe stafi i specializuar, paketat gjithëpërfshirëse me vendpushimin bregdetar fqinj. Shkurt dy zogj me një gur.” thuhet mes të tjerave në artikull.

