Të biesh në dashuri, të martohesh dhe të bësh fëmijë - Hulumtimet e reja po hedhin dritë nëse kjo është me të vërtetë receta e lumturisë. Paul Dolan, profesor i shkencës së sjelljes në Shkollën Ekonomike të Londrës, në një artikull për The Guardian, thotë se "nëse je burrë, ndoshta duhet të martohesh" dhe "nëse je grua, mos e vrit mendjen.” Dolan përdori informacionin e mbledhur nga një anketë amerikane, e cila shqyrtoi nivelet e lumturisë dhe mërzitjes te individët beqarë, të martuar, të divorcuar, të ndarë dhe të ve. Sipas studimit shëndeti i burrave u përmirësua pas martesës, por në pjesën më të madhe nuk ndikoi në shëndetin e grave.
"Burrat përfitojnë nga martesa sepse qetësohen”, thotë Dolan. "Ju ndërmerrni më pak rreziqe, fitoni më shumë para në punë dhe jetoni pak më gjatë."
Dolan vëren se një stigmë shoqërore është e rrënjosur tek ne për t'i parë martesën dhe fëmijët si qëllimet kryesore të jetës, duke thënë se 90% e njerëzve e konsiderojnë një martesë afatgjatë si shumë të rëndësishme në jetën e tyre. Por “nëngrupi më i shëndetshëm dhe më i lumtur i popullsisë janë gratë që nuk u martuan ose nuk patën fëmijë”, tha ai.
Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me idenë e Dolanit për martesën dhe lumturinë. Një artikull i shkruar nga Instituti për Studime Familjare kundërshton teorinë e tij dhe pretendon se njerëzit që janë të martuar janë zakonisht më të lumtur dhe më të shëndetshëm se sa homologët e tyre beqarë (megjithëse është një diferencë e vogël). Kjo vjen me një paralajmërim: "Martesa mund t'i bëjë njerëzit më të lumtur, por nuk është garanci për lumturinë".
Gjithashtu është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptojmë se të qenit në një martesë të shëndetshme mund të jetë e dobishme, por të qenit i lidhur në një martesë të palumtur ka pasoja negative në shëndetin fizik dhe mendor të një personi. Gjëja më e rëndësishme për të kuptuar është se lumturia nuk është njësoj për të gjithë. Pavarësisht nëse është një çift i martuar me fëmijë apo një grua beqare dhe pa fëmijë, lumturia vjen në shumë forma dhe ajo që ka rëndësi është e drejta për të bërë atë zgjedhje individuale./xing.al
