Granit Xhaka mbrëmë u shndërrua në hero pasi bashkë me kombëtaren e Zvicrës ia doli ta mposhte dhe eliminonte Serbinë. Por, motivi i tij i madh për lojë kundër Serbisë, ka rrënjë të mëhershme. Në një intervistë dhënë për gazetën prestigjioze The Guardian, ai fliste edhe për vuajtjet e familjes së tij, babait dhe nënës.
“Për aq sa e di, muajt e parë në burg ishin në rregull,” – tha Xhaka. “Por më pas nisën ta rrihnin.”, ka treguar Xhaka.
Shkaku kishte qenë se babai i tij mori pjesë në demonstrata kundër qeverisë qendrore komuniste në Beograd. Ishte viti 1986 dhe ai ishte një student 22 vjeçar i Universitetit të Prishtinës në Kosovë, që asokohe ishte krahinë autonome në Jugosllavi. Ai do të arrestohej dhe do t’i jepej një dënim prej gjashtë vitesh. Babai i Granitit ndante qelinë me katër burra tjerë dhe do të lejohej jashtë vetëm për 10 minuta.
“Si i biri i tij, historia është diçka që më prek tepër thellë. Për ta përshkruar babain tim si duhet, duhet që ta kuptoni mirë. Është aq e dhimbshme. Nganjëherë e pyes: “Më trego prapë,” por s’mendoj që më tregon gjithçka. Ka pasur gjithnjë momente të heshtjes kur kanë ndjerë se kishte përbirë diçka dhe s’mund ta qiste jashtë. Ndoshta ishte tepër shumë dhe ai s’donte që ne ta merrnim vesh dhimbjen e tij.”
“Ai ishte një kosovar krenar dhe mendonte se kosovarët kishin të drejtën të ekzistonin. Ai po ngrinte krye për të drejtat e tyre dhe ato ishin të drejta bazike demokratike – nevojat, të tilla si e drejta për të votuar. S’ishte vetëm ai. Kishte edhe njerëz tjerë të arrestuar, përfshirë axhën tim, që ishte burgosur për shumë vjet. Ai ishte dënuar për 15 vjet. Ishte krejt politike.”, ka thënë Xhaka./nacionale
