Nga Shqipëria / E Premte 25 Nëntor 2022, 14:02

Lirimi i infermierëve, reagon vajza e të moshuarës: Gjykata 'dhunoi' për të dytën herë nënën time

Gjykata Supreme ka liruar sot nga paraburgimi tri infermieret e përfshira në sulmin fizik ndaj një të moshuare në Pejë. Lidhur me këtë vendim ka reaguar sot vajza e të moshuarës, Zhaneta Nura. Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës vetëm sa e ka thelluar plagën.

“Vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës, plagën tonë në zemër vetëm sa e ka thelluar. Shoku i shkaktuar nga pamjet e dhunës që i ushtrohet nënës time, për ‘Gjykatën Supreme’ paska qenë lehtë i gëlltitshim dhe me këtë veprim kjo gjykatë ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time!”, shkruan Zhaneta.

Lidhur me lirimin e infermiereve ka reaguar edhe avokati i familjes së të moshuarës. Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se lirimi nga paraburgimi i infermiereve tregon tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit.

Ai u shpreh se sot besimi në drejtësi për këtë rast u shua.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës, ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, deklaroi avokati Meshari Selimaj për tvklan.al.